Elton Qyno Syri.net/
Hetimet për çështjen ndaj ish-ministres së Energjitikës dhe Infrastrukturës, vijojnë me pyetjen e disa personave, ku këtë të mërkurë në SPAK, janë paraqitur dy ish-zyrtarët e vënë nën hetim, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli.
Siç mësohet, Elezi dhe Gjyli, kanë dhënë deklarime për disa procedura të tjera tenderuese, për të cilat SPAK ka hapur hetime të reja.
Elezi dhe Gjyli, kanë qenë dy nga bashkëpunëtorët e afërt të Belinda Ballukut, gjatë kohës kur kjo e fundit drejtonte MEI dhe njëherësh mbante postin e zv/kryeministres.
Hetimet ndaj Gjylit, Ballukut, Erald Elezit dhe personave të tjerë u zgjatën nga SPAK në muajin korrik 2026 deri në fund të muajit Tetor 2026.
Në muajin nëntor 2025, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera” 5 të pandehurve të tjerë të përfshirë në dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Të pandehur janë Gentian Gjyli, ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ish-drejtori i ARRSH-së, Ervis Berberi, i cili është i arrestuar për një tjetër çështje, ish-drejtori i OSHEE-së, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica.
Të 5-të janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), lidhur me procedurën tenderuese të tunelit të Llogarasë.
Hetimi i SPAK ka të bëjë me projektin e madh për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e rrugës Orikum-Himarë, që është një seksion i autostradës Vlorë-Sarandë.
Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021, në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit.
Në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulëta ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro.
E njëjta garë u shpall më 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH.
Në tenderin, i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi i dy kompanive turke Intecar dhe Asl u shpall fitues, me ofertë 170 mln euro plus TVSH.
SPAK dyshon se Balluku dhe Gjyli kanë kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi, pasi tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro dhe u rihap pak muaj më pas dhe iu dha bashkimit të kompanive turke, edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.
Tuneli i Llogarasë është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend dhe hetimi i SPAK lidhet me mënyrën se si është zhvilluar dhe menaxhuar procedura e tenderit për ndërtimin e tij.
Përpos hetimit për tunelin e Llogarasë, SPAK po heton edhe tenderë të tjerë që përfshijnë Ministrinë e drejtuar nga Balluku.
Gjatë deklarimit në Parlament, kreu i SPAK, Altin Dumani, pohoi se nën hetim është dhe Aeroporti i Vlorës, ndërsa kanë nisur verifikimet paraprake edhe për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar.
© SYRI.net