Durrësi do të përfitojë një nga investimet më të mëdha në sektorin e ujit, pas miratimit nga qeveria të marrëveshjes me qeverinë franceze për rehabilitimin e ujësjellësit, sistemit të kanalizimeve dhe impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura.
Gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaci, tha se projekti ka një vlerë prej 118 milionë eurosh, nga të cilat 80 milionë euro do të financohen si grant nga Bashkimi Europian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Sipas ministrit, është siguruar edhe një financim shtesë prej 50 milionë eurosh nga Bashkimi Europian për zgjerimin e investimit në Durrës. Ai tha se faza e re përfshin zonat e Porto Romanos, Shkozetit dhe Spitallës, duke bërë të mundur përfundimin e projektit.
Edhe Tirana pritet të përfitojë nga një investim i ri në rrjetin e furnizimit me ujë. Sipas ministrit, Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar projektin për përmirësimin e sistemit të ujësjellësit në kryeqytet, i cili parashikon ndërtimin e 40 kilometrave tubacione të reja dhe rehabilitimin e 10 kilometrave të tjera ekzistuese. Projekti përfshin gjithashtu instalimin e sistemeve SCADA dhe të matjes inteligjente. Investimi kap vlerën e 80 milionë eurove në bashkëfinancim me Bankën Europiane të Investimeve, ndërsa synohet që mbi gjysma e fondit të mbulohet me grant.
Një tjetër investim i miratuar ka të bëjë me rritjen e eficiencës së energjisë në 50 shkolla publike. Projekti, me vlerë 22 milionë euro dhe në bashkëpunim me IBRD, parashikon rehabilitimin e godinave të shkollave, si edhe investime në panele diellore dhe sisteme termoizoluese.
Karakaci foli edhe për projektet infrastrukturore në proces. Ai tha se kontratat për dy fazat e para të bypass-it të Elbasanit janë lidhur dhe punimet kanë nisur, ndërsa nuk priten shpronësime. Sipas tij, fazat e tjera të projektit do të vijojnë gjatë vitit 2027.
Sa i përket hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Aeroportin e Rinasit, ministri bëri të ditur se kontratat për ndërtimin, elektrifikimin dhe stacionet janë lidhur tashmë. Ai shtoi se procesi për përzgjedhjen e operatorit ndërkombëtar po vazhdon dhe se mbi tre kompani me përvojë kanë shprehur interes për të marrë pjesë në garën ndërkombëtare.
-
U ndez drita jeshile per hajdutet e rradhes. Do vjedhin fondet dhe pun sdo ben njeri. Atje nuk kontrollon askush. Albagsnistan
Përgjigju








Komente
Komento