Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Kosovës. Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha e ka cilësuar zgjedhjen e presidentes së re si një moment të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë dhe dëshmi të pjekurisë së institucioneve të saj demokratike.
“Urime të përzemërta znj. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës”, shkruan Hoxha.
Sipas ministrit, zgjedhja e presidentes së re vjen në një moment të rëndësishëm për forcimin e institucioneve, konsolidimin e arritjeve shtetformuese të Kosovës dhe avancimin e saj në rrugëtimin evropian dhe euroatlantik. Hoxha thekson se zhvillimi i fundit përcjell edhe një mesazh të qartë për tejkalimin e ndarjeve politike.
“Interesi i qytetarëve dhe i shtetit qëndron mbi çdo ndarje politike. Dialogu, mirëkuptimi dhe gjetja e gjuhës së përbashkët për çështjet me interes kombëtar janë tregues të pjekurisë demokratike dhe të përgjegjësisë institucionale”, shprehet ai.
Ministri i Jashtëm shqiptar ka garantuar se Shqipëria do të vijojë mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.
“Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Republikës së Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj, forcimin e mëtejshëm të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe avancimin e aspiratës së ligjshme për integrim të plotë në familjen evropiane dhe euroatlantike”, shkruan Hoxha.

