AKTUALITET, 7 October 2026, 14:14

Kur Hitleri i dhuroi Zogut një Mercedes, Namik Dokle: Sekretet e luftës së Spanjës

Kur Hitleri i dhuroi Zogut një Mercedes, Namik Dokle: Sekretet e

Namik Dokle ka rikthyer në vëmendje lidhjet e regjimit të Zogut me Hitlerin, Mussolinin dhe Frankon, gjatë një aktiviteti përkujtimor për 90-vjetorin e Luftës Civile të Spanjës. 

Aktiviteti u organizua nga Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut, Njësia 5, me mbështetjen e organizatës së Bashkisë Tiranë.

Duke cituar ditarin e Galeazzo Cianos, ministrit të Jashtëm të Mussolinit, Dokle tha se tri dhuratat më të shtrenjta në dasmën e Zogut ishin ato që i dërguan Hitleri, Mussolini dhe Franko.

"Hitleri i dërgoi një Mercedes Benz dhe Ciano u shqetësua. I shkruante Mussolinit se i vinte keq që dhurata e Hitlerit ishte më e shtrenjtë dhe më domethënëse se e tyre", u shpreh Dokle.

Sipas tij, në të njëjtin ditar Ciano shënon edhe një qëndrim që kishte dëgjuar nga Mussolini: "Do të merremi me Shqipërinë, por sapo të zgjidhim çështjen e Spanjës." Dokle kujtoi se lufta në Spanjë mbaroi në mars të vitit 1939 ndërsa në prill të po atij viti Italia fashiste pushtoi Shqipërinë.

Ai u ndal edhe te gazeta "Vullnetari", e cila sipas tij u shpërnda në 5 mijë kopje, por më pas u ndalua nga regjimi i Zogut. "Pse u ndalua? Sepse Zogu realisht ishte aleat i Hitlerit, i Mussolinit dhe i Frankos në atë kohë", tha Dokle.

Në fjalën e tij, ai theksoi se lufta e Spanjës nisi si luftë civile, por në fund u kthye në luftë kundër fashizmit. Sipas Dokles, në Spanjë shkuan mbi 35 mijë vullnetarë nga e gjithë bota, mes tyre rreth 70 shqiptarë.

Dokle tregoi edhe historinë e Picassos dhe pikturës "Guernica". Kur gjermanët pushtuan Parisin, sipas tij, një oficer gjerman shkoi në studion e piktorit dhe e pyeti nëse e kishte bërë ai atë vepër. "Jo, e keni bërë ju", iu përgjigj Picasso.

Një moment prekës ishte rrëfimi për Petro Markon. Zoti Dokle tregon se kur u vra Ramiz Varvarica në betejën e Teruelit, Petro Marko vendosi në varrin e shokut të tij të gjitha poezitë që kishte shkruar gjatë luftës. "Poezitë e Petros janë sot e kësaj dite në varrin e Ramizit", tha ai.

Dokle përmendi gjithashtu shkrimtarë të njohur që morën pjesë në luftën e Spanjës, si Federico García Lorca, George Orwell e André Malraux, si dhe dy figura që më vonë u bënë kryeministra: Mehmet Shehu nga Shqipëria dhe Willy Brandt nga Gjermania.

Kur Hitleri i dhuroi Zogut një Mercedes, Namik Dokle: Sekretet e