Një 27-vjeçar nga Durrësi ka rënë në prangat e policisë në Librazhd, pasi dyshohet se shiste kokainë dhe kanabis në doza pranë institucioneve arsimore. Sipas hetimeve, ai ishte vendosur përkohësisht në qytet dhe ndryshonte shpesh banesën ku qëndronte, me qëllim që të vijonte shpërndarjen e drogës.

Gjatë kontrollit, atij iu gjetën dhjetëra doza të dyshuara kokaine dhe cannabis sativa, të gatshme për shitje. Në momentin e ndërhyrjes me të ishte edhe një 21-vjeçar, i cili u vu nën hetim pasi kishte me vete një thikë.

Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se 27-vjeçari e drejtonte pa leje automjetin që përdorte për lëvizje. Policia sekuestroi lëndën e dyshuar narkotike, automjetin, tre telefona celularë dhe mjetin prerës.

Njoftimi i Policisë së Shtetit 

Librazhd/Finalizohet operacioni i koduar “Zhvendosja”. Goditet një tjetër tentativë për të shitur lëndë narkotike, në doza, në afërsi të shkollave.

Ndryshonte vendbanimet e përkohshme në Librazhd, me qëllim shitjen e dozave të Kokainës dhe Cannabisit, arrestohet 27-vjeçari, banues në Durrës.

Vihet në hetim shtetasi që e shoqëronte, pasi kishte me vete mjet prerës.

Sekuestrohen doza Kokaine dhe Cannabisi, automjeti që drejtonte i arrestuari, pa leje, si dhe mjeti prerës (thikë) dhe 3 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, si rezultat i administrimit të shpejtë, në drejtimin e Prokurorisë, të një informacioni të siguruar në rrugë operative, finalizuan operacionin e koduar “Zhvendosja”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. C., 27 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. T., 21 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 27-vjeçari, banues në Durrës, ishte akomoduar përkohësisht në Librazhd, ku ndërronte shpesh njësinë e banimit, me qëllim shitjen e lëndëve narkotike, në doza, në afërsi të institucioneve arsimore. Gjatë kontrolleve fizike, 27-vjeçarit iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, të ndara në dhjetëra doza, gati për shitje, ndërsa 21-vjeçarit që e shoqëronte iu gjet 1 mjet prerës (thikë).

Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasi E. C., automjetin me të cilin lëvizte për të shpërndarë dozat, e drejtonte pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.