Detaje të reja janë mësuar nga momenti i arrestimit të biznesmenit Ergys Agasi. Gjatë ndalimit të tij, autoritetet i kanë sekuestruar një orë të markës “Richard Mille”, katër telefona iPhone, karta bankare, si dhe një çantë me shuma të konsiderueshme parash.
Sipas kërkimeve në internet, ora “Richard Mille” që Agasi mbante në dorë në momentin e arrestimit ka një vlerë që mund të arrijë deri në 300 mijë euro. Sipas burimeve për Report TV, në çantën e Agasit u gjetën kartëmonedha të prerjeve 200, 50 dhe 20 euro, disa karta bankare të institucioneve financiare vendase dhe të huaja, si dhe leja e drejtimit.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonte, autoritetet gjetën gjithashtu çelësa metalikë, një kontratë për marrjen me qira të automjetit dhe dokumente të tjera.
Në automjet, Agasi shoqërohej nga ish-drejtori i Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku. Atij iu sekuestruan 400 euro, 4.200 lekë, një portofol “Alviero Martini” dhe një çantë “Hermes”. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së tij, nuk u gjetën sende të kundërligjshme.
Kujtojmë se Ergys Agasi u arrestua pasditen e 26 gushtit, në zonën e Plepave në Durrrës, teksa udhëtonte me automjet së bashku me Uljan Shpatarakun. Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit 2025, kur SPAK lëshoi urdhër-arrestin ndaj tij në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t. Pas rreth nëntë muajsh në kërkim, arratia e Ergys Agasit ka marrë fund me arrestimin e tij.
