POLITIKË /

"Më ofruan 'pazar'", Braçe konfirmon votën kundër 'Territoriales': Nuk e shoh sërish filmin e 2014-ës

Braçe tha se socialistët kishin vënë përpara një "vizatim harte" dhe jo një reformë që zgjidh probleme.

Shkruar nga Versus
"Më ofruan 'pazar'", Braçe konfirmon votën
Erion Braçe

Deputeti socialist Erion Braçe ka konfirmuar qëndrimin e tij kundër Reformës Territoriale që pritet të hidhet nesër për votim në Kuvend. Nëpërmjet një videoje, Braçe u shpreh i fyer nga kolegët e tij socialistë, duke thënë se edhe e kishin pyetur se çfarë “privilegji” kërkonte në këmbim të votës së tij pro.

“Ajo që më ka fyer shumë është pyetja e nja dyve këtu rrotull “çfarë do ai?”, është në konceptin e privilegjit, favorit, pazarit. Më fyen sepse në 30 vite duhet ta kishin kuptuar se unë as nuk bëj pazar dhe as nuk jam në pazar. Kur marr një vendim e mendoj mirë. Unë nuk jam nga rraca e atyre që përtojnë të mendojnë. Lexoj, pyes dhe në fund formoj atë që bëhet mendimi im. Çfarë kërkoj unë? Një reformë të mirëqeverisjes së pushtetit vendor të mbështetur në decentralizim dhe autonomi vendore. Pra jo një vizatim harte, por një reformë të qartë që formëson mirëqeverisjen dhe që ka produkt të matshëm për qytetarët”- tha Braçe.

Ndërsa e quajti të dështuar edhe reformën e 2014-ës, Braçe tha se refuzon që ta shohë të njëjtin “film” sërish.

“Pikërisht se kërkoj këtë jam kundër këtij vizatimi harte administrativo territoriale që nuk zgjidh probleme, por krijon probleme. Jam i gatshëm të flas për çdo gjë, por filmin e 2014-ës refuzoj ta shoh përsëri.  Pra premtimin se do transferohen kompetencat, tatimet e me radhë dhe nuk ndodhi. Dhe tani sillet si element i dështimit të pushtetit vendor. Jo! Refuzoj ta shoh këtë film”- shtoi deputeti. Versus.al

Poll