”Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Rama takim me bizneset: Janë miratuar 32 kredi me vlerë 5 milionë euro

Skema “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” po tërheq gjithnjë e më shumë interes nga bizneset e vogla dhe të mesme. Sipas të dhënave të bëra publike nga kryeministri Edi Rama, rreth 400 biznese ndodhen aktualisht në proces aplikimi, ndërsa deri më 5 të muajit janë miratuar 32 kredi, me një vlerë totale prej rreth 5 milionë eurosh.

Ritmi i miratimeve ka ardhur në rritje gjatë muajve të fundit. Në gusht u miratuan 5 kredi, në shtator 20, ndërsa në ditët e para të këtij muaji janë shtuar edhe 7 kredi të tjera. Skema synon të lehtësojë aksesin në financim për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që kanë kapacitet për të zgjeruar aktivitetin, por përballen me vështirësi në sigurimin e fondeve. Programi parashikon kredi me interes deri në 2%, garanci shtetërore deri në 70%, financim deri në 2 milionë euro dhe një afat shlyerjeje deri në 10 vjet.

Sipas Ramës, skema është konceptuar si një mekanizëm mbështetës për bizneset që kanë krijuar një aktivitet të qëndrueshëm dhe kanë një plan konkret zgjerimi, por u mungojnë burimet financiare për ta realizuar atë. “Programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ ka ardhur si nevojë për të mbështetur nga shumë afër sipërmarrje të vogla e të mesme që ia kanë dalë të formësohen e t’i mbijetojnë sfidave të krijimit të tyre në një treg të hapur”, u shpreh kryeministri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai nënvizoi se rritja e numrit të aplikimeve dhe kredive të miratuara tregon një interes në zgjerim për këtë instrument financiar. “Shohim një rritje të interesit. Kemi sot rreth 400 biznese që janë në proces, deri në datën 5 kemi 32 kredi të miratuara për një vlerë 5 milionë euro dhe ajo që na vjen mirë të shohim është ritmi i përshpejtuar”, tha Rama. Skema mbetet e hapur për sipërmarrjet që synojnë të investojnë në zgjerimin e aktivitetit të tyre, ndërsa shifrat e aplikimeve pritet të rriten më tej.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?