‘Kjo nuk është qeveri, është organizatë kriminale’, Xhixho: Rama ka centralizuar pushtetin

15:01, 07/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në edicionin e pasdites, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, denoncoi mungesën e konsultimit me qytetarët për reformën e re territoriale dhe kundërshtoi mënyrën se si mazhoranca po e çon përpara këtë proces.

Xhixho tha se banorët e disa bashkive kanë shprehur kundërshtimin e tyre dhe se ndarja e re territoriale duhet t’u nënshtrohet referendumit.

Ajo kritikoi edhe bilancin e reformës territoriale të vitit 2014, duke deklaruar se ajo dështoi si në uljen e numrit të punonjësve të administratës vendore, ashtu edhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Xhixho theksoi se centralizimi i shërbimeve dhe kompetencave ka ndikuar në largimin e qytetarëve nga zonat e tyre dhe ka favorizuar shpopullimin.

Deputetja akuzoi qeverinë se po vijon të centralizojë pushtetin dhe deklaroi se opozita do të kundërshtojë reformën e re territoriale, duke kërkuar përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Pjesë nga intervista:

Fakti që kjo reformë kaloi në Komisionin e Ligjeve pa konsultim, pa gjërat e duhura me qytetarët, kemi parë gjatë kësaj vere kundërshti shumë të mëdha që kanë bërë qytetarët e Memaliajt, Divjakës, Poliçanit, e të gjitha këtyre bashkive që preken nga një hartë territoriale që, pa dyshim, që duhet të kishte kaluar në referendum.

Flasim për një reformë shumë thelbësore për qytetarët, flasim për një reformë që prek direkt shërbimet ndaj tyre, në një moment ku Shqipëria ka një dramë shumë të madhe, siç është ajo e shpopullimit.

Dhe kjo reformë nuk e adreson aspak, përkundrazi, e thellon.

Duhet të kuptojmë që reforma e 2014-ës kishte dy qëllime, së pari të ulte pa dyshim numrin e punonjësve dhe, nga ana tjetër, të ofronte shërbime shumë më cilësore për qytetarët.

Të dyja qëllimet dështuan. Nga 22 mijë punonjës që kishte në 2014, jemi sot në 44 mijë punonjës, dhe këto bashki u kthyen në punonjës të patronazhistëve dhe të funksionarëve të Partisë Socialiste.

Dhe nga ana tjetër, shërbimet u larguan nga qytetarët, duke larguar shërbimet u nxit shpopullimi. Unë e them me të drejtë që këtu ka një axhendë shpopullimi, sepse qyteteve iu zvogëlua numri i bashkive në 61 dhe, nga ana tjetër, me reformën e drejtësisë gjithashtu u hoqën gjykatat, u hoqën drejtoritë arsimore, drejtoritë e hipotekave, pra u centralizuan shërbimet, dhe nga ana tjetër kjo bëri që shumë qytetarë të largohen nga qytetet e tyre. Paralelisht me këtë, shërbimet u përkeqësuan, qytetarët humbën kontaktin e tyre me shërbimet e pushtetit vendor.

Dhe nga ana tjetër, çfarë bëri kjo qeveri? Mos harroni që shumë nga kompetencat e pushtetit lokal, e keni parasysh, gjithë qasja europiane është për të decentralizuar pushtetin qendror për ta çuar tek qytetarët.

Ndërkohë, edhe me këtë reformë që ata kanë sjellë, nuk ka deleguar kompetenca tek pushteti lokal. Ujësjellësit i centralizuan, e shumë kompetenca për dhënien e lejeve të ndërtimit, patjetër të centralizuara. Ju e dini që ato jepen me firmat e Edi Ramës, kulla pa fund, kudo betonizim, sepse aty është interesi ekonomik i kësaj qeverie.

Protesta që kanë bërë qytetarët dhe gjithashtu edhe propozimi që ka çuar opozita për ta çuar në 100 bashki dhe prapë për të diskutuar, pra qytetarët kalojnë referendum këtë ndarje të re territoriale dhe ta vendosin vetë qytetarët. Fakti që kjo mazhorancë, me arrogancën e pushtetit, pa dëgjuar qytetarët, edhe pse protestohet, edhe pse digjen teserat e Partisë Socialiste, do të kalojë një reformë me dhunë, absolutisht me dhunën dhe arrogancën e pushtetit, është e papranueshme. Ndaj dhe opozita ka thirrur qytetarët në protestë, edhe Partia e Lirisë gjithashtu i ka bërë thirrje qytetarëve për t'iu bashkuar protestës së nesërme, sepse kjo qeveri nuk është një qeveri, është një organizatë kriminale. Skandali i KAYO-s, i AKSHI-t, inceneratorët etj., me radhë, kemi të bëjmë me një organizatë kriminale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco