Protestat e nxënësve vijuan edhe sot, por me një mobilizim më të ulët se ato të një dite më parë në Paris, Lion dhe Strasburg.

Sipas Ministrisë së Arsimit, 459 shkolla kanë pasur ndërprerje të plota ose të pjesshme të mësimit, kundrejt 891 që ishin të martën.

Megjithatë, grupe nxënësish kanë vijuar bllokimet dhe protestat, ndërsa organizatat studentore dhe sindikatat bëjnë thirrje për vazhdimin e lëvizjes.

Dje, 6 tetor, rreth 266 mijë persona, sipas autoriteteve, dhe deri në 450 mijë sipas organizatorëve, protestuan në mbarë Francën. 

Qeveria franceze deklaroi këtë të mërkurë se po pezullon përdorimin e granatave trullosëse gjatë ndërhyrjeve policore në protesta. Vendimi vjen, pasi një 15-vjeçari iu këput dora gjatë një përplasjeje me policinë e trazirave.

Organizatat për të drejtat e njeriut, nxënësit dhe disa kundërshtarë politikë kanë akuzuar policinë franceze për përdorim joproporcional të forcës gjatë valës së protestave të nxënësve, e cila ka zgjatur më shumë se dy javë dhe ka nxjerrë në pah zemërimin e thellë të opinionit publik në prag të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.