
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të ketë një rol aktiv në procesin e financimit të bizneseve të vogla përmes programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.
Gjatë takimit me bizneset, Rama tha se Ministria e Ekonomisë do të ndërhyjë në rastet kur aplikantët hasin vështirësi në marrëdhënien me bankat, duke e cilësuar ministrinë si ndërmjetëse dhe garantuese gjatë procesit.
Sipas tij, problematika është veçanërisht e ndjeshme për bizneset e bujqësisë, të cilat mund të kenë vështirësi për të siguruar financim nga bankat.
“Ky program është konceptuar për t’ju mbështetur ju, por qeveria e konsideron si program të vetin. Ministria e Ekonomisë është në anën tuaj. Raporti me bankat është nganjëherë shumë i vështirë për bizneset e bujqësisë, ndaj ministria do të jetë ndërmjetësi dhe garantuesi juaj”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se edhe në rastet kur një aplikim refuzohet nga banka, ministria do të angazhohet për ta mbështetur projektin dhe për të argumentuar nevojën për financim.
“Kur një aplikim mund të kthehet për një arsye apo një tjetër, ministria është aty për ta mbështetur, për ta argumentuar dhe për të këmbëngulur që ai të financohet”, u shpreh ai.
Rama tha gjithashtu se investimet në zonat rurale mund të mbështeten përmes kombinimit të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” me skemat e financimit të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Në përfundim, kryeministri theksoi se bizneset nuk do të jenë vetëm në marrëdhënien me bankat, pasi sipas tij, në këtë program qeveria do të jetë pjesë e procesit krahas aplikantit dhe institucionit financiar./Versus.al

