Shakira dhe ish-partneri i saj, Gerard Piqué, janë paraqitur sërish në gjykatë në Barcelonë, këtë herë për të shqyrtuar marrëveshjen lidhur me kujdesin dhe vizitat e dy djemve të tyre, Milan dhe Sasha.
Çifti u përball më 6 tetor, rreth katër vite pas marrëveshjes së arritur pas ndarjes së tyre. Fëmijët, 13-vjeçari Milan dhe 11-vjeçari Sasha, jetojnë në Miami me Shakirën, ndërsa Piqué banon në Barcelonë.
Këngëtarja kolumbiane kërkon ndryshimin e mënyrës se si organizohen udhëtimet e fëmijëve mes Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës. Sipas përfaqësuesve të saj, qëllimi është të shmangen udhëtimet e shkurtra transatlantike, të cilat përfshijnë edhe ndryshimin e zonës kohore.
Në propozimin e saj, Shakira kërkon që gjatë periudhave të shkurtra të pushimeve të jetë Piqué ai që udhëton drejt Miami-t për të kaluar kohë me djemtë. Sipas saj, kjo do t’u mundësonte fëmijëve të ruanin për më gjatë rutinën e tyre shkollore, sociale dhe familjare.
Megjithatë, përfaqësuesit e këngëtares kanë theksuar se kërkesa nuk synon të kufizojë kohën që Milan dhe Sasha kalojnë me babain e tyre. Shakira kërkon që barra e udhëtimeve mes Miami-t dhe Barcelonës të mos bjerë vetëm mbi fëmijët, por të ndahet mes prindërve.
Sipas raportimeve, të dyja palët kishin zhvilluar negociata përpara se çështja të shkonte në gjykatë, por nuk arritën një marrëveshje të re. Piqué nuk ka dhënë detaje publike për pozicionin e tij në lidhje me procedurën.
Shakira dhe Piqué u ndanë në vitin 2022 pas më shumë se një dekade së bashku. Në dhjetor të po atij viti, ata ratifikuan marrëveshjen për fëmijët, pas së cilës këngëtarja u zhvendos në Miami së bashku me ta.
Tashmë, pas disa vitesh zbatimi të marrëveshjes, gjykata në Barcelonë duhet të vendosë nëse mënyra e organizimit të vizitave dhe udhëtimeve të fëmijëve duhet të ndryshohet.