
Ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku ka rënë në kontradiktë me dëshmitë e dhëna pas arrestimit të tij me Ergys Agasin. Ai po lëvizte me një Audi A6 kur u kap në zonën e Pleplave me Agasin në vendin e pasagjerit. Në deklarimin e parë, Shpataraku tha se makinën e kishte marrë nga një shok me emrin “Tomi”, të cilit nuk ia dinte mbiemrin, pasi automjeti i tij “herë pas here nxehej”.
Por në deklarimin e dytë të dhënë më 18 shtator para policisë gjyqësore, Uljan Shpataraku ka ‘shfaqur probleme me kujtesën’. Shoku nga i cili pretendon se mori makinën nuk quhet më “Tomi”, por “Toni”. Ndërsa arsyeja pse kishte lënë automjetin e tij ishte se “ishte prishur kondicioneri” dhe jo siç deklaroi më parë se “makina e tij nxehej”.
Një tjetër element që del nga dosja lidhet me pronësinë e Audi A6. Shpataraku pretendonte se ia kishte marrë hua shokut, të cilit ia ndërron emrin dy herë, por në fakt pronari i automjetit, Kadri Guza ka dëshmuar se Shpataraku ishte interesuar për ta blerë makinën dhe se ia kishte dhënë për ta provuar dhe për ta çuar në servis, para kryerjes së pagesës prej 15 mijë eurosh.
Shpataraku ka thënë gjithashtu se nuk mbante mend numrat e telefonit që kishte përdorur gjatë dy viteve të fundit. Në dëshminë e parë, kur u pyet për targën e automjetit të tij, deklaroi se nuk e dinte.
Në kontradiktë bie edhe për kohën e qëndrimit në Elbasan. Ai ka pretenduar se qëndroi në Elbasan rreth dy orë, ndërsa raporti i vëzhgimit dokumenton makinën në atë zonë nga ora 13:35 deri në 18:16, pra për gati 5 orë.
Uljan Shpataraku ka mohuar versionin e Policisë për lëvizjet e tij me “Audi A6”, automjeti me të cilin u arrestua bashkë me Ergys Agasin.
Gjatë marrjes në pyetje, Shpataraku ka deklaruar se automjetin e kishte marrë rreth orës 10:00 në Durrës nga një person që e njihte vetëm me emrin “Tomi”. Ai ka thënë se kishte shkuar në Durrës pasi fëmijët e tij ishin të sëmurë.
Sipas dëshmisë, makinën e tij e kishte lënë në një rrugicë në zonën e Kënetës, pasi kishte probleme dhe nxehej herë pas here. Më pas, me automjetin e marrë hua, pretendon se është nisur direkt drejt Elbasanit.
“Makina ime nuk funksiononte siç duhej, pasi herë pas here nxehej. Për këtë arsye lashë makinën time dhe mora makinën e shokut. Pasi e mora, shkova direkt në Elbasan”, ka deklaruar Shpataraku.
Ai ka kundërshtuar edhe të dhënat e vëzhgimit të Policisë, sipas të cilave “Audi A6” është konstatuar në kompleksin e vilave të Visit të Pojës në Shkozet, ku dyshohej se fshihej Ergys Agasi.
Sipas dosjes, përmes monitorimit me dron, Policia ka konstatuar automjetin duke dalë nga parkimi i kompleksit dhe në sediljen e parë është parë një person që dyshohej të ishte Agasi. Më pas, automjeti është ndjekur në drejtim të Elbasanit.
Policia pretendon se Shpataraku ka shkuar në kompleks, ka marrë Agasin dhe më pas të dy janë nisur drejt Elbasanit, ku automjeti ka qëndruar për rreth pesë orë në zonën pranë tregut agroushqimor.
Për këtë pjesë, Shpataraku ka mohuar kategorikisht versionin e autoriteteve.
“Jo, nuk jam ndaluar fare, direkt në Elbasan. Nuk është raporti i vëzhgimit i saktë”, ka deklaruar ai.
Sipas dosjes, pas rreth pesë orësh në Elbasan, “Audi A6” është rikthyer në drejtim të Durrësit, ku në zonën e Plepave është ndaluar nga Policia. Në automjet u gjet Ergys Agasi, ndërsa në drejtimin e tij ishte Uljan Shpataraku./Versus.al

