Deri në pesë kompani ndërkombëtare me eksperiencë pritet të garojnë për përzgjedhjen e operatorit që do të menaxhojë linjën hekurudhore Tiranë-Durrës, përfshirë lidhjen me aeroportin e Rinasit.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, teksa foli për ecurinë e projektit dhe procesin e përzgjedhjes së operatorit ndërkombëtar.
Karakaçi tha se procedura është tashmë në zhvillim dhe pritet të përfundojë së shpejti. Sipas tij, aktualisht kanë shfaqur interes 3 deri në 5 kompani ndërkombëtare, të cilat kanë eksperiencë në operimin e linjave hekurudhore.
“Lajmi i mirë është që janë nga 3 deri në 5 kompani ndërkombëtare me shumë eksperiencë që kanë shfaqur interes dhe duan të jenë pjesë e garës së operatorit ndërkombëtar”, deklaroi ministri.
Ai bëri të ditur gjithashtu se janë lidhur tashmë kontratat për komponentët kryesorë të projektit, duke përfshirë kontratën për ndërtimin e hekurudhës, stacionet dhe elektrifikimin e linjës.
Një nga hapat e rëndësishëm që mbetet është përzgjedhja e operatorit ndërkombëtar, i cili, përveç operimit të linjës sipas standardeve ndërkombëtare, do të jetë përgjegjës edhe për sigurimin e vagonëve.
“Operatori ndërkombëtar do të sigurojë edhe vagonët dhe do të kryejë operimin e linjës sipas standardeve ndërkombëtare”, u shpreh Karakaçi.
Ministri theksoi se procesi i përzgjedhjes është në vijim dhe se finalizimi i tij pritet të bëhet në një afat të afërt.

