
Detaje të reja dalin nga dosja e Policisë për ndjekjen dhe arrestimin e Ergys Agasit, i cili u lokalizua pas një operacioni disaorësh. Sipas materialeve të referuara në Gjykatën e Posaçme, Policia ka ndjekur lëvizjet e tij nga Shkozetit drejt Elbasanit dhe më pas sërish në drejtim të Durrësit.
Ndjekja ka nisur rreth orës 11:39, kur në një kompleks vilash në zonën e Shkozetit është konstatuar një person që dyshohej të ishte Ergys Agasi. Pak minuta më vonë, në kompleks ka hyrë një automjet tip “Audi A6”, me portobagazh dhe xhama të errësuar.
Në orën 12:02, automjeti është parë duke dalë nga parkimi nëntokësor i kompleksit. Në sediljen e përparme, pranë drejtuesit, është konstatuar një person me bluzë të bardhë, i cili dyshohej të ishte Agasi.
Automjeti me targë AB323JK është ndjekur më pas në itinerarin Shkozet–Plepa–Kavajë–Rrogozhinë–Peqin dhe më tej në drejtim të Elbasanit.
Në orën 13:35, “Audi A6” ka hyrë në zonën e tregut agroushqimor në Elbasan. Pikërisht në këtë moment, sipas dosjes, Policia ka ndërprerë përkohësisht monitorimin e automjetit pas një komunikimi me një oficer.
“Pas komunikimit me oficerin, automjeti Audi, me targa AB323JK, nuk u mbajt në vëzhgim nga ana jonë. Pas komunikimit me oficerin, grupet e vëzhgimit u vendosën në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit”, thuhet në dosje.
Zona ku hyri automjeti përshkruhet në materialet e publikuara si një zonë që lidhet me Suel Çelën. Nga momenti i hyrjes së automjetit në këtë zonë deri në daljen e tij kanë kaluar rreth pesë orë.
Mbetet e paqartë, sipas të dhënave të bëra publike nga dosja, se kë ka takuar Agasi gjatë kësaj kohe dhe çfarë ka ndodhur brenda ambienteve ku automjeti qëndroi.
Në orën 18:16, “Audi A6” është konstatuar sërish duke dalë nga rruga “Kadri Hoxha” dhe ka vijuar lëvizjen në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe Kavajës.
Kur automjeti ka mbërritur në zonën e Plepave, shërbimet e Policisë së Durrësit kanë ndërhyrë për ndalimin e tij.
Pas kontrollit, në sediljen e përparme është identifikuar Ergys Agasi, i cili rezultonte person në kërkim. Në drejtimin e automjetit ndodhej shtetasi Uljan Shpataraku, i cili është identifikuar nga Policia.
Kështu, sipas kronologjisë së dosjes, nga nisja e ndjekjes në Shkozet deri në momentin e arrestimit në Plepa kanë kaluar rreth shtatë orë, ndërsa rreth pesë orë të lëvizjeve të Agasit mbeten të lidhura me qëndrimin e automjetit në zonën e tregut agroushqimor në Elbasan.
NDJEKJA E AGASIT
Ora 11:39: Konstatohet duke dal nga ambientet e katit të dytë të kompleksit të vilave një person në dukje i dyshuar si Ergys Agasi, i veshur me bluze të bardhë dhe pantallona treçerekëshe ngjyrë të zeza, i cili del nga ambientet, vazhdon në drejtim të hollit në katin e parë të kompleksit dhe futet në ambientet e brendshme të kompleksit (shoqëruar përshkrimi me foto)
Ora 11:59: Gjatë monitorimit u konstatua një automjeti tipit Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, duke hyrë në ambientet e kompleksit, ku, pasi hyn në portën kryesore të kompleksit, vazhdon drejt parkimit nëntokësor të kompleksit të vilave, ku, për shkak të xhamave të errësuar të automjetit, nuk e patëm të mundur identifikimin nga ana jonë të personave që mund të ndodheshin në automjet.
Ora 12:02: Në vijim të vëzhgimit të zonës me mjetin (dron), u konstatua duke dalë nga parkimi nëntokësor i kompleksit të vilave, automjeti i tipit Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, ku, në sediljen e përparme, në krah të drejtuesit të mjetit, u vërejt një person i veshur me bluzë të bardhë, i cili, nga të dhënat e disponuara dhe rrethanat e konstatuara, dyshohej të ishte shtetasi Ergys Agasi (person në kërkim), i ulur pasagjer në sediljen e përparme të automjetit. Pas komunikimit me oficerin, automjeti Audi A6, me portobagazh, u mbajt në vëzhgim nga ana jonë dhe u ndoq për vijimin e veprimeve të mëtejshme (shoqëruar përshkrimi me foto);
Ora 12:03: Automjeti Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, me targa AB323JK, I cili vazhdon itinerarin e lëvizjes pa ndërprerje nga kompleksi i vilave, në drejtim të Nishtullës, rrethrrotullimit të Shkozetit, drejtim Plepave, ku futet nëpër rrugët në afërsi të shinave të trenit, që të nxjerrin në rrugën e Plazhit, Durrës, ku, pasi arrin në zonën e Plepave, vazhdon drejtimin drejt autostradës, në drejtim të Kavajës, Rrogozhinës, në drejtim të Peqinit, Elbasanit (shoqëruar përshkrimi me foto) thuhet në dosjen hetimore
Ora 13:35: Automjeti Audi A6, me portobagazh, me targa AB323JK, pasi bën rreth rrotullimin e Bradasheshit, vazhdon në drejtim të rrugës “Kadri Hoxha”, ku, në afërsi të tregut agroushqimor, kthehet në rrugicën djathtas, ku, pas komunikimit me oficerin, automjeti Audi, me targa AB323JK, nuk u mbajt në vëzhgim nga ana jonë. Pas komunikimit me oficerin, grupet e vëzhgimit u vendosën në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Ora 18:16: Konstatohet duke dalë nga rruga “Kadri Hoxha” automjeti i tipit Audi A6, metarga AB323JK, i cili vazhdon drejtimin e lëvizjes pa ndërprerje nga rrethi iBradasheshit, autostradë, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës, ku, nëafërsi të zonës së Plepave, në bashkëpunim dhe koordinim me shërbimet e tjerame uniformë të Drejtorisë Vendore Durrës, u bë i mundur ndalimi i automjetit tëmbajtur në vëzhgim, ku, pas ndalimit të automjetit Audi A6, ngjyrë e zezë, metarga AB323JK, rezultoi shtetasi Ergys Agasi (person në kërkim), i ulur nësediljen e përparme, dhe drejtues automjeti një person, i cili, pasverifikimit, rezultoi të ishte shtetasi Uljan Shpataraku (shoqëruar përshkrimime foto)". /Versus.al


