
Zbardhen detaje të aksionit për arrestimin e Ergys Agasit, i akuzuar nga SPAK si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Në dosjen e SPAK thuhet se orët e fundit para se të arrestohej janë monitoruar me dron të gjitha lëvizjet e Agasit nga Durrësi drejt Elbasanit dhe, teksa kthehej në qytetin bregdetar, u vu në pranga.
Një nga momentet më interesante është se policia ndërpreu survejimin me dron pikërisht kur Ergys Agasi mbërriti në Elbasan, pranë tregut agro-ushqimor që njihet si pronë e babait të Suel Çelës, të shumëkërkuarit që SPAK e akuzon si drejtues të një organizate kriminale.
Agasi u ndoq më 26 gusht për rreth 11 orë. Gjithçka nisi në Shkozet, pasi një informator njoftoi policinë për vendndodhjen e tij. Në orën 11:39, droni e filmoi në një kompleks vilash të njohur si bazë e grupit të Elvis Doçit, alias “Visi i Pojës”. Pak më vonë, Agasi hipi si pasagjer në një Audi A6 që drejtohej nga Ulian Shpataraku dhe u nis drejt Elbasanit.
Në orën 13:35 makina mbërriti pranë tregut agro-ushqimor. Pikërisht aty, pas konsultimit me oficerin e policisë gjyqësore, droni u ul dhe grupet e vëzhgimit u zhvendosën rreth tre kilometra larg.
Për 4 orë e 41 minuta nuk dokumentohet se çfarë bëri Agasi. Në orën 18:16 makina u shfaq sërish duke dalë nga rruga ku ndodhet tregu dhe u nis drejt Durrësit. Në zonën e Plepave policia arrestoi Agasin dhe shoferin Uljan Shpataraku, ish-drejtues policie, i cili më pas pretendoi se Agasin nuk e njihte, por e kishte marrë rrugës duke bërë “autostop”.
-
Si e braktisën të gjithë Ergys Agasin para arrestimit
26 Gusht, 23:51
Veprimet hetimore
“Gjatë kryerjes së veprimeve operative, zona është monitoruar nëpërmjet përdorimit të mjetit fluturues pa pilot (dron), me qëllim evidentimin dhe lokalizimin e shtetasit në kërkim”, thekson vendimi.
Konkretisht:
Ora 11:39: Konstatohet duke dalë nga ambientet e katit të dytë të kompleksit të vilave një person, në dukje i dyshuar si Ergys Agasi, i veshur me bluzë të bardhë dhe pantallona treçerekëshe ngjyrë të zezë, i cili del nga ambientet, vazhdon në drejtim të hollit në katin e parë të kompleksit dhe futet në ambientet e brendshme të kompleksit.
(Kompleksi rezulton në pronësi të Ervis Docit, i njohur si Visi i Pojës, person në kërkim ndërkombëtar për trafik kokaine e grup kriminal).
Doci njihet si një nga lidhjet më të forta të Ergys Agasit.
Më tej rezulton se:
Ora 11:59: Gjatë monitorimit u konstatua një automjet i tipit Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, duke hyrë në ambientet e kompleksit, ku, pasi hyn në portën kryesore të kompleksit, vazhdon drejt parkimit nëntokësor të kompleksit të vilave, ku, për shkak të xhamave të errësuar të automjetit, nuk e patëm të mundur identifikimin nga ana jonë të personave që mund të ndodheshin në automjet.
Ora 12:02: Në vijim të vëzhgimit të zonës me mjetin (dron), u konstatua duke dalë nga parkimi nëntokësor i kompleksit të vilave automjeti i tipit Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, ku, në sediljen e përparme, në krah të drejtuesit të mjetit, u vërejt një person i veshur me bluzë të bardhë, i cili, nga të dhënat e disponuara dhe rrethanat e konstatuara, dyshohej të ishte shtetasi Ergys Agasi (person në kërkim), i ulur pasagjer në sediljen e përparme të automjetit. Pas komunikimit me oficerin, automjeti Audi A6, me portobagazh, u mbajt në vëzhgim nga ana jonë dhe u ndoq për vijimin e veprimeve të mëtejshme.
Ora 12:03: Automjeti Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, me targa AB323JK, i cili vazhdon itinerarin e lëvizjes pa ndërprerje nga kompleksi i vilave, në drejtim të Nishtullës, rrethrrotullimit të Shkozetit, drejtim Plepave, ku futet nëpër rrugët në afërsi të shinave të trenit, që të nxjerrin në rrugën e Plazhit, Durrës, ku, pasi arrin në zonën e Plepave, vazhdon drejtimin drejt autostradës, në drejtim të Kavajës, Rrogozhinës, në drejtim të Peqinit, Elbasanit.
Ora 13:35: Automjeti Audi A6, me portobagazh, me targa AB323JK, pasi bën rrethrrotullimin e Bradasheshit, vazhdon në drejtim të rrugës “Kadri Hoxha”, ku, në afërsi të Tregut Agroushqimor (në pronësi të babait të Suel Celës, që është në kërkim ndërkombëtar nga SPAK si kreu i një grupi kriminal), kthehet në rrugicën djathtas, ku, pas komunikimit me oficerin, automjeti Audi, me targa AB323JK, nuk u mbajt në vëzhgim nga ana jonë. Pas komunikimit me oficerin, grupet e vëzhgimit u vendosën në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Ora 18:16: Konstatohet duke dalë nga rruga “Kadri Hoxha” automjeti i tipit Audi A6, me targa AB323JK, i cili vazhdon drejtimin e lëvizjes pa ndërprerje nga rrethi i Bradasheshit, autostradë, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës, ku, në afërsi të zonës së Plepave, në bashkëpunim dhe koordinim me shërbimet e tjera me uniformë të Drejtorisë Vendore Durrës, u bë i mundur ndalimi i automjetit të mbajtur në vëzhgim, ku, pas ndalimit të automjetit Audi A6, ngjyrë e zezë, me targa AB323JK, rezultoi shtetasi Ergys Agasi (person në kërkim), i ulur në sediljen e përparme, dhe drejtues automjeti një person, i cili, pas verifikimit, rezultoi të ishte shtetasi Uljan Shpataraku.
Ergys Agasi u prangos bashkë me Shpatarakun tek zona e Plepave në Durrës.

