Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të bisedojë së shpejti me Vladimir Putinin lidhur me vdekjen e një punonjësi laboratori në një qendër kërkimore për murtajën në Siberi.
"Deri tani jemi në diskutime shumë të thella", tha Trump, duke shtuar se do të mund të japë detaje mbi bisedimet me presidentin rus "ndoshta" të enjten. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk është planifikuar asnjë telefonatë mes dy liderëve.
Autoritetet ruse bëjnë të ditur se po hetojnë shkakun e vdekjes së 28-vjeçarit dhe nuk kanë konfirmuar se sëmundja e dyshuar është murtaja pneumonike. Sipas tyre, nuk ekziston rreziku i një epidemie.
Agjencia AFP raportoi se Mongolia ka urdhëruar masa të posaçme monitorimi në kufi, ndërsa Lituania ka nisur përgatitjet për çdo rast të mundshëm.
Murtaja pneumonike është një infeksion i rëndë i mushkërive dhe konsiderohet forma më agresive e murtajës.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka bërë thirrje që Rusia të tregojë transparencë.
"Shkëmbimi në kohë, i plotë dhe transparent i informacionit sipas Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit është thelbësor për të sqaruar raportimet kontradiktore dhe për të mundësuar një vlerësim të saktë të rreziqeve të mundshme për shëndetin publik", tha ai.
Duke folur para gazetarëve të mërkurën, zëdhënësi i Putinit deklaroi se njoftimi i Rusisë për vdekjen e punonjësit ishte bërë sipas procedurave standarde dhe akuzoi mediat për përhapje të "informacioneve të rreme".
Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Rusisë një kërkesë zyrtare diplomatike, duke kërkuar informacion shtesë mbi rastin. Megjithatë, Dmitry Peskov deklaroi para gazetarëve se nuk kishte dijeni për një kërkesë të tillë.
Raportimet e para dolën të premten, kur u bë e ditur se gati 200 persona ishin vendosur nën vëzhgim në rajonin e Irkutskut në Siberi pas vdekjes së punonjëses së laboratorit.
Punonjësja, e identifikuar nga mediat ruse si Darya Shipilova, mësohet se ishte sëmurë disa ditë para se të ndërronte jetë.
Raporte të pakonfirmuara sugjerojnë se ajo mund të jetë infektuar pasi kishte thyer një epruvetë që përmbante patogjenin në Institutin Kundër Murtajës të Siberisë dhe Lindjes së Largët, ku punonte, ose pas një ekspedite në terren në një zonë ku murtaja gjendet natyrshëm te brejtësit e egër.
Ndërsa SHBA-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkonin më shumë informacion, autoriteti rus për mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetin publik, Rospotrebnadzor, deklaroi se "nuk ka rrezik epidemik për popullsinë e Irkutskut dhe rajonit të Irkutskut".
Institucioni njoftoi se më shumë se 90% e personave që kishin pasur kontakte me viktimën "e kanë përfunduar periudhën e vëzhgimit mjekësor" dhe se "nuk janë konstatuar probleme shëndetësore të lidhura me patologji infektive".
Sipas agjencisë AFP, qeveria e Mongolisë fqinje ka urdhëruar masa të shtuara të monitorimit shëndetësor në kufirin me Rusinë. Ministria mongole e Shëndetësisë deklaroi se do të "ruajë mbikëqyrje dhe monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar rreziqet e mundshme".
Kjo ishte një masë paraprake, thuhej në deklaratë, duke shtuar se "niveli aktual i rrezikut është i ulët".
Ministria e Shëndetësisë së Lituanisë deklaroi se ka marrë masat e nevojshme për të menaxhuar çdo rast të mundshëm në vend.
Menjëherë pas vdekjes së punonjëses së laboratorit, autoriteti rus për mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetin publik deklaroi se gruaja kishte vdekur nga "pneumonia me etiologji të papërcaktuar" dhe se testet nuk kishin zbuluar "mikroorganizma të lidhur me aktivitetin e saj profesional".
Megjithatë, pas këtij njoftimi, një media federale ruse proqeveritare fshiu pesë postime ku përmendej mundësia e një rasti murtajeje, ndërsa autoritetet e qytetit Baikalsk fshinë një njoftim ku këshillohej shmangia e udhëtimeve drejt Shelekhovit për shkak të një infeksioni të mundshëm nga murtaja.
Spekulimet që vijojnë lidhur me vdekjen e punonjëses së laboratorit kanë shkaktuar përplasje deklaratash mes Rusisë dhe SHBA-së, ndërsa janë ngritur pyetje edhe për mundësinë e përhapjes së sëmundjes jashtë Rusisë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja kishte "masa" në dispozicion për të ndihmuar Rusinë nëse situata do të rezultonte më serioze nga sa pretendohet.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, murtaja pneumonike ka një periudhë shumë të shkurtër inkubacioni, ndonjëherë vetëm 24 orë, dhe mund të jetë fatale nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.
Njerëzit mund të infektohen përmes:
pickimit nga pleshtat e infektuar;
kontaktit me lëngje trupore ose materiale të kontaminuara;
thithjes së grimcave të rrugëve të frymëmarrjes.
Simptomat përfshijnë vështirësi në frymëmarrje dhe kollë, shpesh të shoqëruar me gëlbazë me gjurmë gjaku.
Bakteri që shkakton murtajën, Yersinia pestis, gjendet te brejtësit, si marmotat, në këtë zonë.
Në shekullin XIV, ky bakter shkaktoi vdekjen e deri në gjysmës së popullsisë së Europës, në atë që u bë e njohur si Vdekja e Zezë.
Ishte pikërisht si pasojë e një shpërthimi të murtajës në vitet 1920 që u themelua, pak më shumë se 100 vjet më parë, Instituti Kundër Murtajës i Siberisë dhe Lindjes së Largët. /BBC/
© SYRI.net