Justina Shiroka Pula, nga filigrani i Prizrenit në Presidencën e Kosovës
Nga Saimir Kadiu
Kosova zgjodhi Justina Shiroka-Pulën Presidente të Republikës. Një akademike, ekonomiste, profesore universitare, ish-ministre, ish-deputete dhe, që nga viti 2025, gruaja e parë në krye të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Është një ngjarje politike. Por është edhe diçka më shumë…
Është një histori familjeje, kulture dhe dijeje.
Sepse pas emrit Justina Shiroka-Pula qëndron një tjetër emër i njohur i kulturës shqiptare të Kosovës: Simon Shiroka, babai i saj, mjeshtër i filigranit dhe artist i veçantë i Prizrenit.
Simon Shiroka (1927–1994) nuk ishte thjesht një argjendar. Ai mori traditën e filigranit të Prizrenit dhe e shndërroi në një gjuhë artistike. Punoi me argjend, bakër e ar; krijoi stoli, figura, skulptura, grafika dhe kompozime abstrakte. Veprat e tij janë ekspozuar në Prishtinë, Tiranë dhe Paris.
Filigrani është një art i jashtëzakonshëm.
Një tel i hollë argjendi, pothuajse i padukshëm, bashkohet me një tjetër, pastaj me një tjetër. Dhe nga mijëra fije të imëta lind një figurë.
Ndoshta edhe një komb ndërtohet kështu.
Jo vetëm nga ngjarjet e mëdha, por nga fijet e holla të familjes, kujtesës, kulturës, dijes dhe qëndresës.
Prizreni ka qenë prej shekujsh një nga qytetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare në Kosovë. Në të bashkohen kujtime osmane, shqiptare, katolike, myslimane, qytetare, zejtare dhe intelektuale.
Dhe në këtë histori të gjatë nuk mund të harrohet tradita katolike shqiptare.
Aty është Pjetër Bogdani, një nga figurat më të mëdha të kulturës shqiptare të shekullit XVII, autor i “Çetës së Profetëve”, figurë e dijes, e gjuhës dhe e qëndresës kulturore.
Aty është edhe kujtesa e gjatë e familjeve dhe zejtarëve katolikë të Kosovës, që ruajtën për breza zanatet, librin, gjuhën dhe lidhjet kulturore shqiptare përtej kufijve politikë të kohës.
Dhe shumë më vonë, në një tjetër shekull, do të vinte Nënë Tereza – një tjetër figurë shqiptare me rrënjë katolike, e cila do ta kthente emrin shqiptar në një nga emrat më të njohur të botës.
Këto histori nuk janë të njëjta. Por kanë një pikë të përbashkët: dijen si shërbim dhe kulturën si identitet.
Në këtë sfond duhet parë edhe rruga e Justina Shiroka-Pulës.
Ajo nuk u bë Presidente nga një rrugë e drejtpërdrejtë politike.
Rruga e saj kaloi fillimisht nga universiteti.
Lindi në Prishtinë në vitin 1953. Në vitin 1976 përfundoi Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1977 mbrojti doktoratën me temën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. Më pas vazhdoi studimet në Zagreb dhe formimin akademik ndërkombëtar në Austri e Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1978 hyri në karrierën akademike.
Dhe për dekada ndërtoi autoritetin e saj në universitet.
Nga asistente u bë profesore.Nga profesore u bë akademike. Nga akademike u bë ministre.
Nga ministre u bë deputete.
Dhe më pas, në vitin 2025, u bë gruaja e parë Presidente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Tani ajo është Presidente e Republikës.
Kjo është pjesa politike e historisë.
Por ka edhe një pjesë tjetër, më njerëzore.
Babai i saj punonte me duart. Vajza e tij punoi me mendjen.
Ai përkulte telin e argjendit. Ajo ndërtoi struktura të mendimit ekonomik.
Ai krijonte figura nga metali. Ajo krijoi një karrierë nga dija.
Dhe të dy, secili në mënyrën e vet, i shërbyen kulturës së vendit.
Kjo është një trashëgimi e bukur shqiptare: zanati që kthehet në art dhe arsimi që kthehet në përgjegjësi publike.
Sot Kosova është një shtet i ri në moshë, por jo një vend i ri në histori.
Ajo ka kaluar nga Perandoria Osmane te Jugosllavia, nga demonstratat e vitit 1981 te vitet e rezistencës, nga lufta e 1998–1999 te ndërhyrja ndërkombëtare, nga administrimi ndërkombëtar te shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Dhe tani, në vitin 2026, Republika vendos në krye të saj një grua akademike.
Kjo ka një simbolikë të veçantë.
Sepse Presidentja nuk është vetëm përfaqësuese e një partie.
Ajo duhet të jetë përfaqësuese e shtetit. E qytetarit.
E kujtesës. E së ardhmes.
Dhe ndoshta një akademike e di më mirë se kushdo tjetër se një shtet nuk ndërtohet vetëm me emocione.
Ndërtohet me institucione. Me dije. Me përgjegjësi.
Me durim…Ashtu si filigrani.
Një copë argjendi nuk bëhet vepër arti me një goditje.
Kërkon mijëra lëvizje të vogla. Edhe Republika është kështu.
Sot Kosova ka një Presidente të re.
Një akademike. Një grua. Një ekonomiste. Një bijë të Prishtinës.
Dhe, përmes babait të saj, një trashëgimtare të një prej arteve më të bukura të Prizrenit.
Ndoshta kjo është fotografia më e bukur e këtij momenti: një tel argjendi nga punishtja e një mjeshtri dhe një laps nga tavolina e një akademike – dy mënyra të ndryshme për të krijuar diçka që mbetet.
Nga Simon Shiroka te Justina Shiroka-Pula.
Nga filigrani te Akademia. Nga Akademia te Presidenca.
Nga arti i hollë i argjendit te arti shumë më i vështirë i drejtimit të një Republike.
Historia shqiptare në Kosovë vazhdon të shkruhet.
Dhe këtë herë, një grua po mban penën.

