
Protestat studentore në Francë po përshkallëzohen dhe po shtrihen në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa sipas CNN, ekziston rreziku që tensionet të kenë pasoja përtej kufijve francezë.
Vala e protestave të të rinjve ka nxjerrë në pah presionet në rritje mbi financat publike të Francës, në një kohë kur qeveria po përpiqet të ulë deficitin buxhetor.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me nivelin e lartë të borxhit publik francez, i cili ka kaluar 4 trilionë dollarë dhe tejkalon madhësinë e ekonomisë së vendit. Paralelisht, është rritur edhe kostoja e shërbimit të borxhit.
Presionet mbi buxhetin shtohen nga plakja e popullsisë dhe rritja e shpenzimeve për pensionet, ndërsa qeveria synon të rrisë njëkohësisht investimet në mbrojtje.
Në protestat e tyre, nxënësit dhe studentët kërkojnë më shumë staf arsimor, klasa më pak të mbipopulluara dhe përmirësimin e infrastrukturës së shkollave.
Qeveria franceze ka propozuar shkurtime të shpenzimeve dhe rritje taksash me synim reduktimin e deficitit. Megjithatë, investitorët shprehin shqetësim se masat mund të zbuten gjatë procesit politik, veçanërisht përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Ekonomistët paralajmërojnë se problemet e Francës mund të kenë ndikim edhe në vendet e tjera të eurozonës, për shkak të peshës së ekonomisë franceze në Europë. Tensionet mund të reflektohen edhe në tregjet e obligacioneve shtetërore.
Situata zhvillohet në një periudhë kur ekonomia europiane po shfaq shenja rimëkëmbjeje, e mbështetur nga investimet në inteligjencën artificiale, eksportet dhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen.
Megjithatë, niveli i lartë i borxhit publik dhe kostot në rritje të financimit mbeten ndër rreziqet kryesore për stabilitetin ekonomik të eurozonës.

