Ministrja Kumbaro me rektorin e Kolegjit të Europës: Prioritete në drejtim të ndërkombëtarizimit të universiteteve
Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë dhe zhvillimi i Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë ishin në fokus të një tryeze të ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, me rektorin e Kolegjit të Europës, João Gomes Cravinho, në nisje të vitit të ri akademik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Kumbaro bëri të ditur se në takim u diskutua për prioritetet e reja në drejtim të ndërkombëtarizimit të universiteteve, ndërsa vijon puna për realizimin e Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë. Sipas Kumbaros, kampusi synon të shndërrohet në një pol të ri ndërkombëtar të jetës universitare në kryeqytet, ku pjesë do të jetë edhe Universiteti i Tiranës.
“Kampus ekselence”, e cilëson ministrja projektin, i cili synon të krijojë më shumë hapësira për bashkëpunim dhe shkëmbim akademik, si dhe për gjenerimin e ideve dhe projekteve të reja. Kumbaro thekson se zhvillimi i këtij kampusi lidhet me synimin për ta forcuar Tiranën si një pikë takimi për dijen dhe arsimin, duke krijuar një mjedis më të hapur ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mendjeve që kontribuojnë në formësimin e së ardhmes.
Projekti i Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë është pjesë e përpjekjeve për zgjerimin e dimensionit ndërkombëtar të arsimit të lartë dhe forcimin e lidhjeve akademike me hapësirën europiane.

