A mund të luajë Mançester City në Champions edhe nëse skualifikohet nga Premier League? Ja dilema që shqetëson futbollin anglez

7 Tetor 2026, 18:00Sport TEMA
A mund të luajë Mançester City në Champions edhe nëse

Një situatë e pazakontë mund të krijohet në futbollin anglez, pasi drejtues të lartë të këtij sporti janë të shqetësuar për mundësinë që Manchester City të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm edhe nëse klubi dënohet me rënie nga Premier League për shkeljet financiare.

Skenari lidhet kryesisht me mundësinë që skuadra e Pep Guardiolës të fitojë Champions League. Në një rast të tillë, City do të siguronte një tjetër rrugë drejt kompeticionit evropian, pavarësisht pozicionit që do të kishte në piramidën e futbollit anglez.

Sipas raportimeve të BBC Sport, aktualisht nuk ekziston një mekanizëm automatik që do ta pengonte Cityn të luante në një kompeticion evropian nëse kualifikimi do të vinte përmes rezultateve sportive.

City mohon akuzat për shkelje financiare
Manchester City vazhdon të mohojë akuzat ndaj tij, ndërsa çështja financiare ka hyrë në një tjetër fazë pas vendimit të komisionit të pavarur.

Komisioni e shpalli klubin përgjegjës për akuzat që lidhen me rritjen artificiale të të ardhurave nga sponsorizimet, në një shumë prej rreth 830 milionë paundësh, si dhe për fshehjen e shpenzimeve të tjera me vlerë rreth 90 milionë paund.

Sipas konkluzioneve të komisionit, pa këto elemente City nuk do t’i kishte përmbushur rregullat e fitimit dhe qëndrueshmërisë në nëntë sezone, nga 2009-10 deri në 2017-18.

Klubi anglez i ka kundërshtuar fuqishëm këto përfundime dhe ka paraqitur apel kundër vendimit.

Një prej pikave më të ndërlikuara është licenca e UEFA-s, e cila është e domosdoshme për çdo klub që dëshiron të marrë pjesë në kompeticionet evropiane.

Licencat bazohen kryesisht në gjendjen aktuale financiare të një klubi dhe nëse plotësohen kriteret minimale të kërkuara. Për këtë arsye, ekzistojnë pikëpyetje nëse një dënim për shkelje të së kaluarës mund të përdoret automatikisht për t’i mohuar Cityt të drejtën për të marrë licencën.

Në rast se vendimi kundër klubit konfirmohet pas apelimit, City mund të përballet me një sërë masash, që mund të përfshijnë zbritje të konsiderueshme pikësh, gjobë të madhe dhe embargo në merkato.

Një tjetër skenar është edhe përjashtimi nga Premier League, megjithëse kjo mbetet vetëm një nga mundësitë që mund të shqyrtohen.

Problemi nuk kufizohet vetëm te Champions League.

Nëse City fiton FA Cup, mund të sigurojë një vend në Europa League, ndërsa triumfi në Carabao Cup mund t’i japë një biletë për Conference League.

Kjo do të krijonte një situatë të komplikuar nëse në të njëjtën kohë klubi do të përballej me një dënim të rëndë nga Premier League.

UEFA nuk pritet të ndërhyjë për sa kohë që procesi disiplinor në Angli është ende në zhvillim. Megjithatë, çështja mund të diskutohet më tej nga administrata e UEFA-s dhe organi i kontrollit financiar të klubeve, CFCB.

Manchester City ka kaluar një situatë të ngjashme edhe në të kaluarën.

Në vitin 2020, UEFA i vendosi klubit një pezullim dyvjeçar nga kompeticionet evropiane për shkelje të rregullave të Fair Play Financiar. Megjithatë, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e rrëzoi dënimin pasi konstatoi se disa prej veprave ishin parashkruar sipas rregullave të UEFA-s.

Pikërisht kjo eksperiencë ka shtuar pikëpyetjet rreth mënyrës se si mund të trajtohet një dënim i mundshëm i Cityt në të ardhmen.

Nëse klubi nuk arrin të fitojë apelin dhe nuk siguron Champions League përmes suksesit në këtë kompeticion, organet përkatëse të UEFA-s do të duhet të shqyrtojnë nëse ekziston një bazë ligjore për ta përjashtuar nga garat evropiane.

Lini një Përgjigje