Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Një vit pas vrasjes së Astrit Kalasë në sallën e gjyqit, prokurorët dalin me 5 KËRKESA për qeverinë: Mos prisni deri në vdekjen e një magjistrati tjetër

Shkruar nga Newsbomb
Një vit pas vrasjes së Astrit Kalasë në sallën e
I ndjeri Astrit Kalaja dhe deklarata e prokurorëve/ Fotomontazh

Një vit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, së bashku me organizatat përfaqësuese të gjyqtarëve, kanë kërkuar nga institucionet shtetërore marrjen e masave konkrete për sigurinë e magjistratëve dhe trajtimin institucional të familjes së gjyqtarit të vrarë.

Në një deklaratë të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kërkojnë që Astrit Kalajës t’i njihet statusi “Dëshmor i Atdheut”, si dhe që familjes dhe fëmijëve të tij t’u garantohet një trajtim institucional dinjitoz.

Organizatat kërkojnë gjithashtu krijimin e një strukture të posaçme policore për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive, si dhe ngritjen e një mekanizmi për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të rrezikuar dhe familjeve të tyre. Një tjetër kërkesë lidhet me miratimin e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.

“Një vit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, përkujtimi kërkon përgjigje dhe veprime konkrete nga institucionet.

Në nje deklaratë të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kërkojnë, pa vonesa të mëtejshme:

• Njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” për gjyqtarin Astrit Kalaja.

• Garantimin e një trajtimi institucional dinjitoz për familjen dhe fëmijët e tij.

• Krijimin e një strukture të posaçme policore për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive.

• Ngritjen e një mekanizmi efektiv për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të kërcënuar dhe familjeve të tyre.

• Miratimin e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.

Siguria e magjistratëve është garanci për çdo qytetar që kërkon drejtësi pa frikë dhe pa presion. Mbrojtja e tyre dhe e institucioneve ku ushtrojnë detyrën është përgjegjësi e shtetit dhe investim për të gjithë shoqërinë.

Shteti nuk duhet të presë humbjen e një tjetër magjistrati për të vepruar”, shkruhej në njoftimin e Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese