Një projektligj i Ministrisë së Mjedisit për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e mjedisit, i paraqitur si pjesë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, po përballet me kritika në Parlament për objektivat e tij, administrimin e fondeve dhe mekanizmat e kontrollit.
Drafti parashikon krijimin e Fondit Kombëtar të Mjedisit, financimin e projekteve përmes granteve dhe subvencioneve, si dhe mekanizma për restaurimin e natyrës dhe certifikimin e largimit të karbonit.
Por gjatë shqyrtimit në komision janë ngritur pikëpyetje nëse nisma garanton një përafrim të plotë me kërkesat evropiane.
Qeveria e ka paraqitur projektligjin si pjesë të procesit të përafrimit me standardet e BE-së. Zv.ministrja e Mjedisit, Elda Xhumari, megjithatë, tha gjatë diskutimeve se drafti është hartuar nga institucionet shqiptare.
Kritikat lidhen me faktin se projektligji nuk përcakton objektiva të matshme, afate konkrete, ekosisteme prioritare apo përgjegjësi të qarta institucionale. Një pjesë e masave i lihet për përcaktim Këshillit të Ministrave.
Drafti përdor gjithashtu termin “restaurimi i elementeve të natyrës”, por nuk jep një përkufizim të qartë të restaurimit dhe as standardet ekologjike që duhet të përmbushë një ndërhyrje.
Kritikët argumentojnë se kjo mund të krijojë hapësirë që projekte gjelbërimi ose sistemimi të konsiderohen restaurim, edhe kur nuk rikthejnë funksionet e ekosistemeve.
Fondi Kombëtar i Mjedisit
Projektligji parashikon krijimin e Fondit Kombëtar të Mjedisit, i cili do të financojë projekte mjedisore përmes granteve, subvencioneve dhe instrumenteve të tjera. Por drafti nuk përcakton garanci të plota për financimin shumëvjeçar, monitorimin e rezultateve dhe transparencën e përdorimit të fondeve.
Kritikët kërkojnë publikimin e përfituesve, shumave të financuara, vendimeve dhe rezultateve të projekteve, si dhe mekanizma për kontrollin, auditimin dhe rikuperimin e financimeve.
Pikëpyetje ngre edhe mënyra e përzgjedhjes së projekteve. Komisioni vlerësues përbëhet nga pesë nëpunës drejtues të ministrisë, të caktuar me urdhër të ministrit, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga ministri.
Sipas opozitës, kjo strukturë mund të dobësojë pavarësinë e procesit të vlerësimit, veçanërisht në rastet kur në garë janë projekte të ministrisë ose institucioneve të saj të varësisë. Gjatë debateve në komision, deputetja Ina Zhupa kritikoi mënyrën e hartimit të nismës dhe e lidhi debatin me ligjin për zonat e mbrojtura.
“Para se të miratojë një ligj për mbrojtjen e mjedisit, duhet të shfuqizojë fillimisht ligjin për zonat e mbrojtura, të kritikuar edhe nga Bashkimi Evropian”, tha Zhupa.
Drafti përfshin edhe certifikimin e largimit të karbonit, por nuk përcakton qartë mënyrën e verifikimit të pavarur, regjistrimit apo shmangies së numërimit të dyfishtë.
Nuk është e qartë nëse certifikohet subjekti, aktiviteti apo sasia e karbonit të larguar. Po ashtu, mungojnë rregulla të hollësishme për kohëzgjatjen e ruajtjes së karbonit.
Ambientalistë argumentojnë se certifikimi i karbonit nuk mund të konsiderohet automatikisht si provë e restaurimit të biodiversitetit.
Ndryshimet prekin edhe inspektimin mjedisor. Projektligji shfuqizon një dispozitë që i ngarkon Agjencisë Kombëtare të Mjedisit kryerjen e inspektimeve dhe kontrollin e veprimtarive, ndërsa dispozitat e tjera vijojnë t’i referohen strukturës përgjegjëse për inspektimin.
Drafti, sipas kritikëve, nuk sqaron plotësisht kalimin e funksioneve dhe institucionin që do të kontrollojë respektimin e detyrimeve për restaurimin.
Debati për projektligjin është lidhur edhe me ligjin nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura, i cili është kritikuar nga institucione evropiane për ndryshimet në administrimin e këtyre zonave dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve turistike.
Në qershor, Parlamenti Evropian shprehu shqetësim për zhvillimet në Peizazhin e Mbrojtur Vjosa-Nartë dhe theksoi se sundimi i ligjit dhe standardet mjedisore të Bashkimit Evropian janë kushte thelbësore për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Organizatat mjedisore e kanë mirëpritur qëndrimin e Parlamentit Evropian dhe kanë kërkuar rishikimin e kuadrit ligjor për zonat e mbrojtura./ Shteg.org













