A ju ka ndodhur të jeni duke folur me partnerin, ndërsa ai ose ajo është i zhytur në telefon dhe mezi ju kushton vëmendje? Kjo sjellje tashmë ka edhe një emër: “tradhti e vëmendjes” (attention infidelity). Termi i ri po përdoret për të përshkruar një fenomen gjithnjë e më të zakonshëm në marrëdhëniet moderne. Shprehja u soll në vëmendje nga The New York Times dhe lidhet me studiuesin e opinionit publik Daniel Cox, i cili e përdor konceptin në një libër të ri që trajton atë që ai e konsideron si “krizën e lidhjes njerëzore”.
Në thelb, “tradhtia e vëmendjes” ndodh kur një person nuk është plotësisht i pranishëm në një moment me partnerin, sepse vëmendjen ia ka marrë telefoni. Mund të jetë duke lëvizur në rrjetet sociale, duke parë video, duke lexuar mesazhe apo thjesht duke kërkuar diçka në internet, ndërsa partneri përpiqet të zhvillojë një bisedë. Edhe pse termi mund të tingëllojë dramatik, autorja Emma Beddington e trajton me humor dhe sugjeron se, në një farë mënyre, pothuajse të gjithë mund të jemi “fajtorë” për këtë sjellje. Shpesh, një person mund të humbasë për disa minuta në ekran, edhe kur përballë ka partnerin që po i tregon diçka.
Sipas Beddington, “tradhtia e vëmendjes” është vetëm një nga shumë termat e rinj që janë krijuar për të përshkruar problemet në marrëdhënie. Vitet e fundit janë bërë të njohura shprehje si “microcheating”, që lidhet me sjellje të vogla që mund të perceptohen si tradhti, “quiet quitting”, kur dikush tërhiqet gradualisht nga një marrëdhënie, si dhe “mental load”, që përshkruan barrën e padukshme të organizimit dhe menaxhimit të jetës së përbashkët.
Autorja vëren se edhe bota e punës është mbushur me terma të ngjashëm për sjellje problematike, çka mund të tregojë se njerëzit kanë filluar t’u vendosin emra më të saktë edhe konflikteve të zakonshme të përditshmërisë. Me humor, Beddington krijon edhe disa terma të sajuar për sjellje tipike mes partnerëve. Një prej tyre lidhet me rastet kur një person shikon fshehurazi episodin e radhës të një seriali që çifti po e ndjek së bashku. Një tjetër përshkruan fshehjen e ushqimeve më të mira për t’i ngrënë vetëm, ndërsa një tjetër i referohet momentit kur dikush i shpjegon partnerit se si duhet të bëjë diçka, me një ton tepër patronizues.
Në fund, autorja e kthen edhe situatën në një shaka personale. Teksa shkruan për rëndësinë e vëmendjes në çift, bashkëshorti i saj dëshiron t’i tregojë diçka rreth tarifës së energjisë. Për të, ky është momenti për të praktikuar atë që ajo e quan “besnikëri ndaj vëmendjes”. Në një epokë ku telefoni është gjithmonë pranë nesh, duket se sfida e re për çiftet nuk është vetëm të jenë fizikisht bashkë, por edhe të jenë realisht të pranishëm për njëri-tjetrin.