AKTUALITET /

Nga përndjekja, rrëmbimi dhe hedhja në liqen, SPAK zbardh dinamikën e vrasjes së Renis Dobrës. Dërgon për gjykim 4 të pandehurit

Sipas SPAK, hetimi është mbështetur në pamjet e kamerave të sigurisë, të dhënat GPS të automjeteve me qira, tabulatet telefonike dhe të dhënat e nxjerra nga telefonat e personave nën hetim.

Shkruar nga Versus

Nga përndjekja, rrëmbimi dhe hedhja në liqen, SPAK zbardh

SPAK ka dërguar për gjykim katër persona të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, ngjarje e ndodhur më 8 korrik 2025. Sipas hetimeve, autorët e dyshuar e kanë ndjekur viktimën me dy automjete, e kanë bllokuar në rrugë dhe më pas e kanë marrë me forcë në një automjet tjetër.

Të pandehurit janë Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Ata akuzohen për rrëmbim ose mbajtje peng të personit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, hetimi është mbështetur në pamjet e kamerave të sigurisë, të dhënat GPS të automjeteve me qira, tabulatet telefonike dhe të dhënat e nxjerra nga telefonat e personave nën hetim.

Nga rindërtimi i lëvizjeve, rezulton se viktima, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”, është pikasur pranë “Urës së Matit”. Ai është ndjekur nga një “Hyundai Santa Fe”, ku ndodheshin Petrit Hoxha dhe Kristë Bushgjokaj.

Sipas hetimit, dy personat kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët udhëtonin me një “Range Rover”.

Ndjekja ka vijuar deri te vendi i quajtur “Kroi i Suçit”, ku rreth orës 21:58, “Range Rover”-i i ka bllokuar rrugën automjetit të Renis Dobrës.

SPAK thotë se Dobërës i është marrë me forcë automjeti dhe ai është futur në “Range Rover”, nën dhunën e autorëve të dyshuar. Më pas, tre automjetet kanë vijuar rrugën në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.181 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve:

Fation Bushgjokaj

Petrit Hoxha (Çakraj),

Kristë Bushgjokaj

Aleksandër Bushgjokaj

Të katër të pandehurit akuzohen për veprat penale: “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 109/3, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.

Procedimi është regjistruar për faktin penal të datës 8.7.2025, ku, sipas rezultateve të hetimit, Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj kanë kryer veprime të koordinuara me qëllim rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R.D.

Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe të dhënave të pajisjeve GPS të automjeteve të marra me qira dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, është dokumentuar lëvizja e të pandehurve në qytetin e Burrelit dhe në aksin rrugor Klos–Zenisht, në kërkim të viktimës. Sipas hetimit, pranë vendit të quajtur “Ura e Matit”, shtetasi R.D. është pikasur në automjetin e tij Benz dhe është ndjekur nga automjeti Hyundai Santa Fe, në të cilin ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj. Këta provohet se kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, Range Rover.

Ndjekja ka vijuar deri në vendin e quajtur “Kroi i Suçit”, ku rreth orës 21:58, provohet se automjeti Range Rover i ka bllokuar rrugën viktimës. Sipas rezultateve të hetimit, R.D. është nxjerrë forcërisht nga automjeti i tij dhe nën dhunën e autorëve, është futur në automjetin Range Rover.

Më pas të tre automjetet kanë ecur njëri pas tjetrit nga qyteti i Burrelit në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit, ku provohet se është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja shtetasit R.D. nga autorët e veprës penale. Kjo vërtetohet edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor.

Sipas hetimit, më pas automjeti i viktimës, së bashku me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës, me qëllim fshehjen dhe zhdukjen e tij.

Nga analiza e lëvizjeve të automjeteve, këqyrja e kamerave pranë vendngjarjes, pajisjeve GPS, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike të personave nën hetim, është arritur në përfundimin se plani për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit R.D ka qenë i strukturuar dhe i koordinuar, duke e kryer veprën penale në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal./Versus.al

Poll