Ish-administratori i Aeroportit të Vlorës, Valon Lluka u arrestua të mërkurën në Prishtinë përmes një urdhër-ndalimi 48 orësh të lëshuar nga Prokurori i Shtetit, bëri të ditur për BIRN Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Ndalimi i Llukës lidhet me dyshimet për veprat penale të mashtrimit, shpërdorimit të pasurisë së huaj, keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike dhe lidhje e kontratës së dëmshme, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
“Lidhur me rastin në fjalë, Prokurori i çështjes në bashkëpunim me Policinë e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit,” tha Shala, ndërsa shtoi se brenda afatit ligjor do të shqyrtohet mundësia e caktimit të ndonjë mase sigurie.
Valon Lluka, një ish-bashkëpunëtor biznesi i Behgjet Pacollit, administroi kompaninë koncesionare Vlora International Airport nga viti 2021 deri në vitin 2025; kohë kur dy ortakët u përfshinë në një konflikt për ndarjen e aksioneve. Ai u akuzua publikisht nga Pacolli për mashtrim dhe keqpërdorim të një prokure për shitje aksionesh, e cila u bë më pas shkak i konfliktit.
Dy aksionerët “Mabco Construction” dhe “2A Group” u përfshinë në një konflikt të ashpër gjyqësor në Shqipëri prej vjeshtës së vitit 2025, duke bllokuar ecurinë e punimeve në kantier. Në gusht të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke i hapur rrugë një përballjeje në arbitrazh ndërkombëtar me kompaninë private.






