
Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar në Recanati të Italisë, pasi është kapur me rreth 2.4 kilogramë kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza të gatshme për shpërndarje.
Operacioni u zhvillua nga karabinierët e Njësisë Operative të Kompanisë së Civitanova Marche, pas hetimeve dhe shërbimeve të posaçme të kryera ndaj shqiptarit.
Sipas autoriteteve italiane, efektivët shkuan në një ndërtesë në fazë rikonstruksioni, pranë spitalit të Recanatit, duke u paraqitur si persona të interesuar për marrjen me qira të objektit.
Pasi hynë në godinë, karabinierët ndërhynë dhe kryen kontrollin. Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 2.4 kilogramë kokainë, një pjesë e ndarë në doza, si dhe disa peshore precize dhe materiale të tjera që dyshohet se përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike.
I arrestuari është shtetas shqiptar, 36 vjeç, banues në Recanati dhe i njohur më parë nga autoritetet italiane.
Pas arrestimit, shqiptari u dërgua në burgun e Ankonës, Montacuto, ndërsa hetimet për rastin vijojnë./Versus.al

