
Një ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 2023 në Manta, në zonën e Cuneos, e cila fillimisht u duk si një aksident rrugor, rezultoi të ishte një tentativë vrasjeje.
Mediat italiane shkruajnë se një 28-vjeçar shqiptar u gjet në gjendje të rëndë nga ekipet e shpëtimit, pasi automjeti i tij kishte dalë nga rruga përgjatë një rruge provinciale. Para se të hynte në sallën e operacionit në Cuneo, i riu arriti t’i tregonte një polici identitetin e personit që, sipas dëshmisë së tij, e kishte qëlluar.
Për ngjarjen, Altin Jakini, kontraktor ndërtimi shqiptar, tashmë 32 vjeç, është dënuar nga Gjykata e Cuneos me 11 vite e 6 muaj burg për tentativë vrasjeje.
Gjykata ka liruar nga akuzat bashkëpandehurin Andrea Dedi, i cili në atë kohë ishte punonjës i Jakinit dhe akuzohej se e kishte ndihmuar në sulm.
Sipas vendimit, gjykata nuk pranoi rrethanën rënduese të paramendimit, për të cilën zëvendësprokurorja Francesca Lombardi kishte kërkuar një dënim prej 15 vitesh burg.
Megjithatë, gjykata vlerësoi se Jakini drejtonte furgonin nga i cili u qëllua viktima, ndërsa në automjet ndodhej një pistoletë e kalibrit .22.
Sipas dëshmisë së viktimës në gjykatë, sulmi ishte motivuar nga xhelozia e Jakinit për një grua. Të dy shqiptarët, si viktima ashtu edhe Jakini, banonin në Manta dhe njiheshin me njëri-tjetrin.
I riu që u qëllua ishte parë si rival në marrëdhënien sentimentale, ndërsa përpjekjet e tij për t’iu afruar gruas në ditët para sulmit dyshohet se kishin nxitur konfliktin./Versus.al

