BOTA /

Hungaria heq veton! Ukraina pranë hapjes së dy kapitujve të rinj të negociatave me BE-në

Budapesti kishte bllokuar më herët edhe këtë fazë, ndërsa prej kohësh ka kërkuar garanci për të drejtat arsimore, kulturore dhe gjuhësore të rreth 100 mijë hungarezëve etnikë në Ukrainë

Shkruar nga Versus

Hungaria heq veton! Ukraina pranë hapjes së dy kapitujve të rinj

Hungaria ka hequr të mërkurën veton ndaj hapjes së dy kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke i hapur rrugë avancimit të procesit të integrimit të Kievit.

Megjithatë, vendimi për hapjen zyrtare të kapitujve të dytë dhe të tretë mbetet i lidhur me miratimin nga parlamenti ukrainas të një ligji që forcon të drejtat e pakicave kombëtare, veçanërisht të komunitetit hungarez në Transkarpati.

Pas marrëveshjes së arritur në nivel ekspertësh, Verkhovna Rada pritet ta miratojë ligjin të hënën. Nëse kjo ndodh, Budapesti pritet të japë miratimin për hapjen e kapitujve në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg të martën.

Hungaria lejoi gjithashtu nisjen e përgatitjeve teknike për dokumentet që Këshilli duhet t’i dërgojë Ukrainës, për t’i kërkuar paraqitjen e qëndrimeve të saj negociuese. Ky konsiderohet një hap formal drejt hapjes së kapitujve.

Budapesti kishte bllokuar më herët edhe këtë fazë, ndërsa prej kohësh ka kërkuar garanci për të drejtat arsimore, kulturore dhe gjuhësore të rreth 100 mijë hungarezëve etnikë në Ukrainë.

Nëse parlamenti ukrainas miraton ligjin, kapitujt e rinj mund të hapen zyrtarisht gjatë konferencës ndërqeveritare të planifikuar për të martën e ardhshme.

Heqja e pengesës hungareze do t’i hapte gjithashtu rrugë avancimit të Moldavisë në procesin e anëtarësimit, pasi negociatat e dy vendeve janë ndjekur paralelisht.

Në fillim të tetorit, në parlamentin ukrainas u regjistrua një projektligj që synon forcimin e të drejtës për arsimim në gjuhët e pakicave kombëtare, një prej çështjeve të kërkuara nga Hungaria për avancimin e negociatave të Ukrainës me BE-në./Versus.al

Poll