130 ditë qëndresë, Vatnikaj: Propaganda nuk e shfryu protestën, jemi ende në shesh
Aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi përpara Kryeministrisë se 130 ditët e protestës janë dëshmi e pakënaqësisë së thellë të qytetarëve dhe e vendosmërisë së tyre për të mos u tërhequr. Në fjalën e saj, Vatnikaj tha se protestuesit janë përballur me atë që e cilësoi si propagandë dhe përpjekje për të dobësuar lëvizjen, ndërsa shtoi se sot ata janë më të fortë se në nisje të protestave.
“Kur e nisëm këtë betejë, nuk e mendonim se do ia dilnim përballë një regjimi dhe një parlamenti që nuk përfaqëson më qytetarët”. Sipas Vatnikajt, Kuvendi është larguar nga misioni i përfaqësimit të qytetarëve, ndërsa akuzoi qeverinë se ka përdorur propagandën për të zbehur protestën.
Ajo tha gjithashtu se protestuesit janë përballur me etiketime të ndryshme, përfshirë akuzat se janë “agjentë”. “130 ditë në shesh tregojnë se halli ynë është më i madh se frika jonë”, deklaroi aktivistja, duke shtuar se qytetarët janë më të fuqishëm se ajo që ajo e cilësoi si krim të organizuar. Në përfundim të fjalës së saj, Vatnikaj u shpreh e bindur se “regjimi do të bjerë”.

