Prokuroria e Posaçme ka pezulluar kallëzimin e Ajshe dhe Muharrem Haklajt ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 15 personave të tjerë, lidhur me vrasjet e katër vëllezërve Haklaj. Pas vendimit, Ajshe Haklaj ka reaguar në emisionin “Studio Live”, duke shprehur zhgënjimin e familjes së saj ndaj SPAK-ut.
Ajo pretendon se Prokuroria e Posaçme nuk ka vijuar hetimet për përgjegjësitë që ajo ia atribuon Berishës lidhur me vrasjet e familjarëve të saj. Haklaj tha se shtatë anëtarë të familjes së saj janë vrarë, ndërsa shtatë persona të tjerë të afërt me familjen kanë humbur jetën. Ajo pretendoi gjithashtu se gjatë viteve janë dëmtuar banesat dhe varret e familjes.
Në deklaratat e saj, Haklaj përmendi edhe ngjarje të tjera, mes tyre 21 Janarin dhe tragjedinë e Otrantos, duke i cilësuar si krime politike që sipas saj duhet të hetohen. Ajo deklaroi se familja nuk do të heqë dorë nga beteja juridike dhe se, përmes avokatit të saj, Idajet Beqiri, do të vijojë përpjekjet për të çuar çështjen përpara në strukturat e drejtësisë.
“Ne prisnim shumë nga SPAK dhe menduam se kjo drejtësi do të vendoste drejtësi për krimet e rënda politike. Jemi shumë të zhgënjyer nga SPAK, i cili nuk pati as guximin për të hetuar vrasjet ndaj pjesëtarëve të familjes sonë, por mendojmë se nuk kanë pasur as dëshirën. Ne nuk do ta pushojmë betejën tonë juridike dhe shpresojmë që njëra prej strukturave të drejtësisë shqiptare të guxojë t’i çojë hetimet më tej”, deklaroi Ajshe Haklaj.
