
Presidenti amerikan Donald Trump është distancuar nga dy prej këshilltarëve të tij kryesorë politikë, James Blair dhe Chris LaCivita, pas raportimeve se ata kanë kryer punë të paguara për qeverinë e Republikës Srpska, në Bosnje dhe Hercegovinë.
Reagimi i Trump erdhi pas një raportimi të The New York Times, sipas të cilit Blair dhe LaCivita udhëtuan javën e kaluar në Republikën Srpska, përpara zgjedhjeve të zhvilluara atje.
Sipas gazetës amerikane, dy këshilltarët janë paguar me qindra mijëra dollarë secili përmes një firme avokatie me bazë në Uashington, e cila ishte angazhuar nga qeveria e Republikës Srpska për këshillim lidhur me çështjet zgjedhore.
Trump tha se Blair dhe LaCivita janë konsulentë të jashtëm dhe se nuk punojnë për të në një rol tjetër. Ai theksoi se ata mund të kenë klientë të tjerë, por paralajmëroi se do të ndërhyjë nëse konstatohet konflikt interesi.
“Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse si konsulentë të jashtëm”, shkroi Trump në Truth Social.
Në një tjetër postim, presidenti amerikan shtoi: “Nëse ka një konflikt, do t’i pushoj menjëherë nga puna!”
Blair aktualisht drejton MAGA Inc., super-PAC-un që mbështet Trump dhe kandidatët republikanë, ndërsa LaCivita është këshilltar i lartë i kësaj organizate. Të dy kanë pasur role të rëndësishme në fushatën presidenciale të Trump në vitin 2024.
Sipas The New York Times, MAGA Inc. ka shpenzuar dhjetëra miliona dollarë në mbështetje të kandidatëve republikanë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA./Versus.al

