Aksident i rëndë në aksin Korçë-Maliq, 18-vjeçari përplaset në rrugë
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin nacional Korçë-Maliq, në afërsi të kryqëzimit të fshatit Bulgarec, pak kilometra larg qytetit të Korçës.
Burime të siguruara bëjnë me dije se një i ri rreth 18 vjeç ka tentuar të kalojë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, në momentin kur është përplasur nga një automjet që lëvizte në drejtim të Maliqit.
Përplasja ka qenë e fortë dhe i riu ka pësuar dëmtime të rënda. Ai është transportuar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku mësohet se ndodhet në sallën e reanimacionit nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat. Ekspertët e Qarkullimit Rrugor kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e plotë të aksidentit.
Njoftimi:
Rreth orës 19:45, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të fshatit Bulgarec, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin L. S., ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin F. M., rreth 18 vjeç, i cili ndërroi jetë në spital.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.




