Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, ka kundërshtuar projektligjin për reformën territoriale, duke argumentuar se ai bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Gjoni u ndal te neni 108 i Kushtetutës, i cili përcakton njësitë e qeverisjes vendore dhe mënyrën se si duhet të realizohet ndarja territoriale.
Sipas deputetit demokrat, kufijtë territorialë duhet të caktohen me ligj duke u bazuar në nevojat dhe interesat e përbashkëta ekonomike, si dhe në traditat historike.
Sipas tij, edhe drafti aktual i projektligjit, me 4 nenet e tij, ka ‘defekte të jashtëzakonshme’ në raport me ligjin për pushtetin vendor dhe ligjet e tjera që lidhen me zbatimin e reformës.
Gjoni tha se, sipas të dhënave të transmetuara nga mediat gjatë procesit të konsultimit për reformën, komunitetet, këshillat dhe banorët e zonave që preken nga ndryshimet kanë shprehur kundërshtim ndaj bashkimit të njësive vendore.
Gjoni u shpreh skeptik për mundësinë që mazhoranca të ndryshojë qëndrim, duke e krahasuar Partinë Socialiste me një ‘repart ushtarak’.
‘Kundërshtitë të cilat kanë bërë jo vetëm me nenin 108 të Kushtetutës, ku ka përcaktuar edhe njësitë e qeverisjes vendore, dhe aty është përcaktuar edhe termat dhe mënyra se si duhet të realizojë kjo reformë.
Dhe po t'i referohesh nenit 108 të Kushtetutës, ka përcaktuar edhe kufijtë dhe ndarjen territoriale, dhe këto kufij caktohen me ligj duke u bazuar në nevojat e interesave të përbashkëta ekonomike dhe tradita historike. Asnjë nga këto elementë nuk është marrë parasysh, megjithëse është e parashikuar në Kushtetutë.
Por ajo e cila është edhe më e thellë është që sot e kësaj dite edhe ligji aktual dhe reforma e 2014-ës e cila është në funksionim, ka prekur pjesë të Kushtetutës, të cilat janë komunat dhe në Kushtetutë pavarësisht se sot nuk ke komuna, në Kushtetutë ekzistojnë komunat dhe njësitë e qeverisjes vendore të cilët të tjerat përcaktohen me ligj përveç bashkive.
Çka tregon, çka tregon në vetvete që e gjithë reforma e cila po realizohet nga ana e mazhorancës socialiste është një reformë e cila bie në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën, por edhe ligji në draftimin e tij në 4 nenet e tij ka defekte të jashtëzakonshme në lidhje me ligjin për pushtetin vendor dhe ligjet e tjera të cilat janë në funksion dhe në realizimin e kësaj reforme.
Dhe një nga elementet e tjerë, të cilët është përsëri shumë i rëndësishëm po t'i referohesh nenit 108 të Kushtetutës, është edhe mendimi i popullsisë. Dhe sipas nenit 108, kufijtë e njësisë vendore nuk mund të ndryshohen pa marrë më parë mendimin e popullsisë që banon në atë.
Dhe nga të gjitha të dhënat të cilat juve keni transmetuar si televizion, por edhe gjithë televizionet e tjera të cilët kanë transmetuar live reformën territoriale, rezulton që mendimet e komuniteteve, të këshillave dhe të popullsisë në të cilën banojnë kanë qenë të gjitha automatikisht kundër kësaj reforme territoriale dhe bashkimit të këtyre bashkive dhe fshatrave të tyre me bashkitë e tjera, të cilët janë projektligjin i cili është depozituar në Kuvend dhe Partia Socialiste po bën çmos për ta kaluar dhe të shpresojmë që ditën e nesërme të ketë deputetë të ndërgjegjshëm dhe deputetë të cilët të votojnë...
Të them të drejtën, të them të drejtën është një pyetje të cilës të gjithë ia dimë përgjigjen. Partia Socialiste dhe mazhoranca socialiste është një repart ushtarak, unë nuk është se kam pritshmëri në lidhje me reformën territoriale dhe me votimin e ditës së nesërme, por le të shpresojmë.’, u shpreh ndër të tjera deputeti Gjin Gjoni në SYRI TV.
© SYRI.net