Magjistratët kërkojnë polici të posaçme dhe mekanizëm për mbrojtjen nga kërcënimet

Një vit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë kërkuar masa të reja për garantimin e sigurisë në institucionet e drejtësisë.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, organizatat theksojnë se gjykatat dhe prokuroritë vazhdojnë të mos kenë një strukturë policore të dedikuar për sigurinë, edhe pse ka kaluar një vit nga ngjarja e rëndë.

Të lidhura

None found

Sipas tyre, ende nuk është ngritur as një mekanizëm që të vlerësojë kërcënimet ndaj magjistratëve dhe të sigurojë mbrojtjen e tyre kur ndodhen në rrezik. Po ashtu, mungon edhe një kuadër i ri ligjor për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.

Organizatat kërkojnë nga institucionet shtetërore krijimin e një strukture të posaçme policore për gjykatat dhe prokuroritë, vendosjen e një sistemi funksional për identifikimin dhe vlerësimin e kërcënimeve, si dhe mbrojtjen e magjistratëve të kërcënuar dhe familjarëve të tyre.

Një tjetër kërkesë lidhet me miratimin e një kuadri të plotë ligjor që të rregullojë sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe të garantojë ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët e prokurorët pa presion.

Këto kërkesa u paraqitën në deklaratën e përbashkët të publikuar një ditë pas përvjetorit të vrasjes së Astrit Kalasë. Më 6 tetor 2025, gjyqtari u qëllua për vdekje me armë zjarri në sallën e gjyqit, teksa ishte duke kryer detyrën.

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kërkojnë gjithashtu që Kalajës t’i njihet statusi “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa familja dhe fëmijët e tij të marrin një trajtim të posaçëm institucional.

Organizatat bëjnë të ditur se kërkesat e mëparshme të magjistratëve për masa që do të ndihmonin familjen e gjyqtarit të vrarë nuk kanë marrë përgjigje.

Në deklaratë theksohet se mbrojtja e magjistratit nuk përbën privilegj, por është një kusht themelor që qytetarët të kenë mundësi të kërkojnë drejtësi pa frikë dhe pa ndikim.

Organizatat e mbyllin apelin me paralajmërimin se shteti nuk duhet të presë një tjetër humbje jete për të ndërmarrë veprime, duke përsëritur nevojën për forcimin e sigurisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe institucioneve të drejtësisë.


Shtuar më 7.10.2026 20:34

Quantcast