E mërkurë, 7 Tetor 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 59 sekonda më parë
Kronikë

Tre vite nga 7 Tetori/ Ambasadorja Kumbe për Vizion Plus: Plaga në shoqërinë izraelite mbetet ende e hapur

Tre vite pas sulmit terrorist të 7 tetorit, Izraeli përkujton viktimat e një prej ngjarjeve më të rënda që ka përjetuar në historinë e tij moderne.

Ceremonitë përkujtimore kanë shoqëruar gjithë ditën, ndërsa plagët e familjarëve të viktimave dhe trauma e lënë në shoqërinë izraelite mbeten ende të pranishme.

Reklamë

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, e cilësoi 7 tetorin si një ngjarje të paprecedentë për nga përmasat dhe ndikimi.

Ajo u shpreh se dhimbja mbetet e thellë edhe tre vite më pas.

Reklamë

Kumbe foli edhe për qytetarët shqiptarë në Izrael, duke konfirmuar se asnjë shtetas shqiptar nuk u lëndua në sulm, ndërsa u ndal te marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sipas saj, lidhjet Shqipëri-Izrael janë intensifikuar ndjeshëm, veçanërisht në turizëm dhe ekonomi, ndërsa interesi i investitorëve izraelitë për Shqipërinë vijon të rritet.

INTERVISTA E PLOTË:

Si është opinioni publik sot në Izrael kur kanë kaluar tre vite nga ajo ngjarje? Si vlerësohet fakti që atë ditë sulmi as nuk u parandalua dhe as nuk u fashit shpejt?

Meri Kumbe: Sot është një ditë e vështirë dhe e dhimbshme në Izrael. Gjatë gjithë ditës është shoqëruar me ceremoniale zyrtare për të përkujtuar viktimat e shtatë tetorit. Historia e shtetit të Izraelit njohu një sulm terrorist me përmasa të jashtëzakonshme për vendin, më i madhi në historinë e shtetit të Izraelit dhe padyshim një ndër sulmet më vdekjeprurëse të historisë moderne. Është një ngjarje e dhimbshme që fatkeqësisht ishte e paprecedent për nga përmasat, por edhe nga ndikimi mbi shoqërinë izraelite dhe rajonin. Kështu që, thënë kjo, familjarët ende kanë plagë të hapura për të kujtuar viktimat. Kujtojmë që në shtatë tetor mbetën të vrarë mijë e dyqind civilë izraelitë, ku më i vogli ishte vetëm tetë muaj e gjysmë, dhe fatkeqësisht sulmi terrorist preku të gjitha moshat e shoqërisë, që nga bebet e deri te të moshuarit.

Sa të ndjeshëm janë zërat që e kritikojnë qeverinë sot në Izrael për mënyrën se si ka reaguar ndaj kësaj ngjarjeje?

Meri Kumbe: Izraeli është në prag të zgjedhjeve dhe padyshim shoqëria izraelite është në një fazë të proceseve të tyre të brendshme dhe patjetër që janë momente të vështira, ka zëra të ndryshëm. Gjithsesi lufta ka pasur impaktet e veta dhe dhimbja për 7 tetorin është ende prezente dhe realisht do të duhet një kohë e gjatë. Patjetër jeta vazhdon, por trauma e lënë nga ai sulm terrorist në shoqërinë izraelite është një plagë e madhe, e cila mbetet një dhimbje e thellë sa herë që kujtohet dhe sidomos në ditë si kjo e sotmja.

Sigurisht statistikat sot, tre vite mbas asaj ngjarjeje, janë të konsoliduara ose shumë më të konsoliduara. A konfirmohet fakti, në atë kohë ka qenë fakt që asnjë hebre me origjinë nga Shqipëria, ose që pat jetuar në Shqipëri përpara viteve ‘90, nuk është përfshirë, nuk është prekur, nuk është dëmtuar në atë sulm terrorist?

Meri Kumbe: Fatmirësisht po, neve nuk kemi pasur asnjë qytetar shqiptar të lënduar dhe mund të thosha që jemi me fat, pasi në atë ditë kanë mbetur të vrarë qytetarë të vendeve të ndryshme të botës. Realisht neve në këtë kontekst, pavarësisht vuajtjes së jashtëzakonshme për sa ndodhi, por të paktën nuk patëm qytetarë shqiptarë të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist.

Si vlerësohen sot marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit politikisht? Është e qartë që ato janë shumë të mira, kanë ecur, janë zhvilluar gjerësisht, por në planin ekonomik për shembull?

Meri Kumbe: Marrëdhëniet bilaterale janë intensifikuar ndjeshëm. Fluturimet direkte kanë patjetër krijuar një klimë ideale jo vetëm për komunikimin e njerëzve midis tyre, pra zhvillimin e turizmit, por edhe është zhvilluar ndjeshëm i gjithë zinxhiri ekonomik. Janë të shumtë qytetarët izraelitë investitorë që shfaqin interes për Shqipërinë. Besa shqiptare është rikthyer në vëmendje pikërisht në këto ditë të dhimbshme dhe të errëta përgjatë tre viteve të fundit. Vendi ynë, historia e vendit tonë dhe leksioni historik ose mësimi historik që ne, pavarësisht se shumë të vegjël, i kemi dhënë botës, ka marrë një rëndësi të veçantë dhe kjo është impaktuar ndjeshëm në zhvillimet bilaterale midis bizneseve të dy vendeve.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.