E dënuara për krime lufte, Bilana Plavshiq, varroset me nderime në Banjallukë

E dënuara për krime lufte, Bilana Plavshiq, varroset me nderime në Banjallukë

21:28, 07/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Me gardën e nderit dhe në praninë e anëtares së Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, si dhe të krerëve të Republikës Sërpska, më 7 tetor në Banjallukë u varros kriminelja e luftës dhe ish-presidentja e këtij entiteti serb të Bosnjës, Bilana Plavshiq, e cila vdiq javën e kaluar.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) e dënoi atë në vitin 2003 me 11 vjet burgim për përndjekjen e boshnjakëve, kroatëve dhe pjesëtarëve të tjerë të popullsisë joserbe, mbi baza politike, racore dhe fetare, në 37 komuna në mbarë Bosnjën gjatë vitit 1992.

Në Bosnje është i ndaluar glorifikimi publik i personave të dënuar me aktgjykim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjës, të imponuara nga atëherë përfaqësuesi ndërkombëtar, Valentin Inzko, parashohin dënime me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet për mohimin ose justifikimin e krimeve të luftës, ndërsa për dhënien e mirënjohjeve, privilegjeve apo formave të tjera të glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, ligji parashikon dënim me burgim prej të paktën tre vjetësh.

Në varrimin e Plavshiqit në Banjallukë morën pjesë rreth një mijë persona.

Mes tyre, përveç Cvijanoviqit, ishin udhëheqësit e entitetit, Parlamentit të entitetit dhe të Qeverisë, Sinisha Karan, Nenad Stevandiq dhe Savo Miniq.

I pranishëm ishte edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tani lider i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur.

Në varrim morën pjesë edhe anëtarë të Njësisë së Nderit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska.

Prokuroria e Bosnjës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se si do të veprojë lidhur me varrimin me nderime të Plavshiqit, e dënuar për krime lufte.

Para varrimit, në Banski Dvor në Banjallukë u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore për Plavshiqin.

Edhe ceremonia përkujtimore u shoqërua me nderime. Në të morën pjesë Stevandiq, ministrat në Qeverinë e Republikës Sërpska, Goran Selak dhe Zhelko Budimir, si dhe Dodik, disa ish-zyrtarë të Republikës Sërpska, miq, familjarë dhe të njohur.

Në ceremoninë përkujtimore dhe në varrim nuk mori pjesë asnjë zyrtar nga Serbia.

Garda e nderit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska qëndroi pranë fotografisë së Plavshiqit, para së cilës ishin vendosur dekoratat e saj.

Përveç ceremonisë përkujtimore, u organizua edhe nënshkrimi në librin e zisë.

Dodik kishte deklaruar më herët se Plavshiq “i meriton të gjitha nderimet”.

Plavshiq vdiq më 1 tetor në Beograd, në moshën 96-vjeçare. Në Beograd, më 6 tetor, u mbajt shërbesa fetare, pas së cilës arkivoli u dërgua në Banjallukë.

Plavshiq ka mbetur e njohur për një fotografi, të publikuar në vitin 1992, në të cilën ajo kalon mbi trupin e një civili mysliman të vrarë në Bijelinë, për t’i dhënë një puthje Zhelko Razhnatoviqit, i njohur më mirë si Arkani.

Në aktgjykimin e formës së prerë të vitit 2003, Gjykata e Hagës konstatoi se Plavshiq pranoi se, si anëtare e udhëheqjes më të lartë politike të serbëve të Bosnjës, kishte marrë pjesë në politikën e ndarjes etnike, e cila çoi në vdekjen e mijëra njerëzve dhe dëbimin me forcë të dhjetëra mijëra të tjerëve, shkruan REL. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco