web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Prangat për Llukën dhe vendimi i Apelit/ Si po bie skema që nxori Pacollin nga Aeroporti i Vlorës

7 Tetor 2026, 21:27, Aktualitet CNA

Prangat për Llukën dhe vendimi i Apelit/ Si po bie skema që nxori

Arrestimi në Kosovë i Valon Llukës dhe vendimi i gjykatës së Apelit në Tiranë që rrëzoi një vendim të mëparshëm të gjykatës së Shkallës së Parë për aeroportin e Vlorës, janë dy ngjarje që shënojnë një pikë kthese për të vërtetën e këtij koncensioni.

Pas muajsh akuzash për mashtrime, procese gjyqësore të stisura dhe komplote me rusë, tani kanë filluar të bien njëra pas tjetrës disa nga shtyllat mbi të cilat u mbështet operacioni kundër kompanisë MABCO nga kontrolli i investimit.

Çfarë tregon arrestimi i Valon Llukës

Kur Behgjet Pacolli doli në “Opinion” dhe tregoi se si një njeri të cilit i kishte besuar për 19 vjet ia kishte marrë firmën me dhelpëri mbi dokumentin që më pas u përdor për transferimin e 47% të kuotave të Aeroportit të Vlorës, versioni dukej pothuajse i pabesueshëm. Si mund t’i merreshin kaq lehtë një biznesmeni aksionet e një projekti me vlerë qindra milionë euro?

Pacolli këmbëngulte vazhdimisht në vetëm një emër. Ai quhej Valon Lluka.

“Unë kam nënshkruar për administratorin tim, i cili ka punuar për 19 vite me tonelata dokumentesh. Ai më ka thënë ‘nënshkruaje’ dhe unë s’e kam verifikuar, sepse i kam besuar atij”, deklaronte Pacolli, duke pretenduar se firma e tij ishte përdorur më pas kundër interesave të kompanisë së tij.  

Sipas versionit të MABCO-s, nga ky moment që mori përsipër Valon Lluka, u vu në zbatim një plan për rrëmbimin e koncesionit të aeroportit të Vlorës. Një dokument i vitit 2023, për të cilin kompania pretendon se kishte tjetër qëllim, u përdor në aktin e prillit 2025 për transferimin e 47% të kuotave nga MABCO te 2A Group e Valon Ademit.  MABCO zbriste nga 98% në 51%, ndërsa 2A Group ngjitej nga 2% në 49%.

Biznesmeni Behgjet Pacolli thotë se asnjëherë nuk ishte paraqitur përpara noteres Valbona Selimi për të autorizuar një operacion të tillë, megjithatë tashmë operacioni kishte nisur me trukun e Valon Llukës dhe pas tij ishin segmentet më të korruptuara të shtetit shqiptar. Përballë MABCO-s, ishin ministra të qeverisë së Ramës, gjykatës që dhanë vendime absurde, policia dhe media dhe gazetarë të njohur. Arrestimi që ndodhi këtë të mërkurë në Prishtinë, nga policia e Kosovës e ndryshon krejtësisht historinë.

Emri i Llukës nuk doli vetëm në Vlorë.

Dokumentet e publikuara nga Lapsi.al treguan se Valon Lluka dhe ish-drejtuesi tjetër i Mabetex, Fitim Pajaziti, shfaqeshin edhe në negociatat me kompaninë arabe Presight për projektin që e pagoi më pas qeveria shqiptare, “Smart City”.

Në të dyja projektet e mëdha shqiptare shfaqet e njëjta mënyrë që MABCO ka denoncuar: njerëz që kishin besimin dhe autoritetin e kompanisë që më pas shfaqen në operacione biznesi që, sipas Pacollit, zhvillohen kundër interesit të saj.

Konfirmohet kështu veprimtaria e njeriut, nga ku nisi komploti për t’ia marrë Pacollit koncensionin e aeroportit të Vlorës. Për shumë kohë, ishin të paktë ata që e besuan. Tani prangat në duart e Valon Llukës nuk mund të shpërfillen më.

Çfarë tregon vendimi i Apelit për aeroportin e Tiranës

Gjykata e Apelit rrëzoi këtë të mërkurë masën e sigurimit të vendosur më 5 qershor 2026 nga gjyqtarja e Shkallës së Parë, Miranda Naka.

Kjo gjykatëse, me vendimin që mori në 5 qershor përmbysi në mënyrë absurde një vendim të dhënë 10 ditë para nga Gjykata e Lartë e cila i kishte hapur rrugë punimeve në kantierin e Vlorës.

Ndryshe nga gjykata e Lartë, Miranda Nake urdhëroi ruajtjen e “status quo”-së juridike të Vlora International Airport, ndaloi mbledhjen e Asamblesë së Ortakëve, ndaloi shkarkimin e administratorit Vegim Hoxha dhe emërimin e një administratori të ri. Me fjalë të tjera, MABCO mund të pretendonte se zotëronte shumicën dërrmuese të kapitalit, por praktikisht nuk mund të ushtronte kontrollin që buronte prej saj.  

Mbi financimin e siguruar nga MABCO përfunduan duke u ngritur akuza se VIA po ekspozohej ndaj një huaje të rrezikshme, madje në debatin publik u hodhën edhe dyshime për interesa ruse.

Koha nuk mund të kthehet pas, por ngjarjet e ditës së sotme tregojnë se si u përdorën vartësit e Pacollit për t’ia vjedhur aksionet e aeroportit të Vlorës, si u mbajt larg MABCO kur aeroporti duhej të përfundonte, si ndikuan gjykatat që aeroporti të zvarritje dhe përse çështja përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar.

Biznesmeni Behgjet Pacolli u shpreh sot se “maskat po bien”, megjithatë drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit. Por pas arrestimit të ish-njeriut të tij të besuar dhe pas rrëzimit të një tjetër vendimi që bllokoi MABCO-n, historia e Aeroportit të Vlorës duket gjithnjë e më shumë si një komplot kundër kompanisë zviceriane, që rrezikon të përfundojë me një faturë të kripur për taksapaguesit shqiptarë./ Lapsi.al





Lajmet e fundit nga