EKONOMI & MJEDIS /

Dëmet mjedisore/ Operatorët e aktiviteteve të rrezikshme do të sigurojnë garanci financiare

Vlera e garancisë do të përcaktohet nga AKM-ja për çdo operator, aktivitet dhe vendndodhje, bazuar në vlerësimin e rrezikut dhe kostot e mundshme të masave që mund të kërkohen.

Shkruar nga Versus

Dëmet mjedisore/ Operatorët e aktiviteteve të rrezikshme do

Operatorët që ushtrojnë veprimtari të konsideruara të rrezikshme për mjedisin do të detyrohen të sigurojnë paraprakisht një garanci financiare për mbulimin e dëmeve të mundshme mjedisore.

Vendimi u miratua sot nga Këshilli i Ministrave dhe përcakton metodat dhe procedurat për sigurimin e kësaj garancie, e cila do të përdoret për masat parandaluese, rehabilitimin dhe kompensimin e dëmeve në mjedis.

Garancia mund të sigurohet përmes një garancie bankare të parevokueshme dhe të pakushtëzuar, të pagueshme me kërkesën e parë me shkrim të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), ose përmes një kontrate sigurimi që mbulon përgjegjësinë për dëmin mjedisor. Lejohet edhe kombinimi i të dyja formave.

Operatorët duhet ta sigurojnë garancinë përpara nisjes së aktivitetit dhe ta mbajnë atë të vlefshme pa ndërprerje për periudhën e përcaktuar nga AKM-ja. Në varësi të rrezikut të mbetur, garancia mund të vijojë të jetë në fuqi edhe pas përfundimit ose mbylljes së aktivitetit.

Si do të përcaktohet shuma?

Vlera e garancisë do të përcaktohet nga AKM-ja për çdo operator, aktivitet dhe vendndodhje, bazuar në vlerësimin e rrezikut dhe kostot e mundshme të masave që mund të kërkohen.

Sipas vendimit, shuma nuk mund të jetë më e ulët se kostoja e plotë e vlerësuar e masave dhe kompensimit që mund të nevojiten në skenarin më të rëndë të parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme. Madhësia apo gjendja financiare e operatorit nuk mund të përdoren si arsye për uljen e garancisë.

Garancia do të mbulojë kostot për vlerësimin e kërcënimit ose dëmit mjedisor, masat parandaluese, kontrollin dhe eliminimin e faktorëve që kanë shkaktuar dëmin, masat rehabilituese, si dhe kompensimin kur rikthimi i mjedisit në gjendjen e mëparshme nuk është i mundur.

Nëse operatori nuk ndërmerr masat e kërkuara, nuk paguan kompensimin e përcaktuar ose nuk ka mundësi financiare për të përmbushur detyrimet, AKM-ja mund të kërkojë ekzekutimin e garancisë.

Fondet e përfituara nga ekzekutimi i saj do të përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostove të parandalimit, rehabilitimit dhe kompensimit të dëmit mjedisor.

Për operatorët që aktualisht ushtrojnë veprimtari të përfshira në listën e aktiviteteve të rrezikshme parashikohet një periudhë kalimtare. Ata duhet të paraqesin pranë AKM-së vlerësimin e rrezikut dhe preventivin e kostove brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa garancia financiare duhet të sigurohet jo më vonë se 12 muaj nga hyrja në fuqi.

Ministria e Mjedisit, AKM-ja dhe strukturat përgjegjëse të inspektimit në fushën e mjedisit janë ngarkuar me zbatimin e vendimit./Versus.al

Poll