Vdes Maricarmen Abascal, 87-vjeçarja që u kthye në simbol të krizës së strehimit në Spanjë

7 Tetor 2026, 22:35Bota TEMA
Vdes Maricarmen Abascal, 87-vjeçarja që u kthye në simbol

Ka ndërruar jetë në spitalin Gregorio Marañón të Madridit, ku ishte shtruar pas dëbimit nga banesa, Maricarmen Abascal, gruaja 87-vjeçare që u kthye në simbol në Spanjën që këto ditë po proteston për kushte më të mira strehimi.

“Dërgoj gjithë dashurinë time për familjen dhe të dashurit e saj. Një përqafim edhe për të gjithë ata që, ashtu si unë, sot e ndiejnë këtë humbje sikur të ishte e tyrja. Pushofsh në paqe”, shkroi në X kryeministri Pedro Sánchez.

Më 23 shtator, pas disa ditëve rezistencë brenda apartamentit të saj me qira në lagjen Retiro dhe pavarësisht protestave të Sindikatës së Qiramarrëseve të Madridit, e cila kishte qëndruar për ditë të tëra para banesës së saj për të penguar dëbimin, gruaja u nxor me barelë nga forcat e rendit.

Një imazh që tronditi Spanjën dhe që, në planin ndërkombëtar, u bë simbol i një krize gjithnjë e më të përhapur. Maricarmen jetonte aty prej më shumë se 70 vitesh: fondi që kishte blerë ndërtesën ku banonte, në përfundim të kontratës, i kishte propozuar një qira tri herë më të lartë. Që prej asaj kohe, ajo kishte qëndruar në apartament, duke vazhduar të paguante qiranë e vjetër, deri në ndërhyrjen e forcave të rendit.

Më pas u shtrua në spital dhe, ndërkohë, falë presionit të protestave dhe vëmendjes mediatike, fondi imobiliar që e kishte dëbuar dhe avokatët e së moshuarës arritën një marrëveshje që ajo të rikthehej në banesë pas daljes nga spitali.

Historia e saj e strehimit, e ngjashme me atë të qindra spanjollëve, rëndohej edhe më tej nga gjendja e saj delikate shëndetësore: gruaja, me një shkallë invaliditeti prej 50%, kërkonte të mos dëbohej nga banesa.

Nga shtrati i spitalit, menjëherë pas dëbimit, ajo u bëri thirrje aktivistëve të vazhdonin protestën:

“Do të doja të isha atje me ju, t’ju shoqëroja në protestën dhe luftën tuaj, por nuk kam mundësi. Nga këtu u them të gjithëve: kurajë! Luftoni!”
Lëvizja për strehimin u ngrit menjëherë, duke e shndërruar protestën në një kamp në Puerta del Sol, sheshin qendror të Madridit, ku ende ndodhen çadrat, si dhe në qindra protesta në të gjithë vendin. Përfshirë këtu edhe protestën e madhe të së shtunës së kaluar, kur mijëra njerëz, 70 mijë sipas qeverisë, 500 mijë sipas organizatorëve, marshuan në Madrid kundër emergjencës së strehimit.

Pablo Iglesias, ish-lideri i Podemos, e cilësoi atë si Rosa Parks-in e Spanjës dhe dëbimi i saj, në fakt, shkaktoi krizën qeveritare që çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për 29 nëntor.

Më pak se një javë pas dëbimit të saj, qeveria Sánchez miratoi dy dekrete për strehimin, të cilat, mes shumë masave në mbrojtje të qiramarrësve dhe pronarëve dhe kundër fondeve, përfshinin edhe mbrojtje kundër dëbimit të personave në gjendje të brishtë.

Në Parlament, masat u rrëzuan nga opozita e Partisë Popullore dhe Vox, si dhe nga katalanasit e Junts. Kriza parlamentare e shtyu presidentin e Qeverisë të shpërndante Dhomat dhe të shpallte zgjedhje të parakohshme për 29 nëntor.

Të martën, Këshilli i Ministrave miratoi dy dekrete të reja, pak të ndryshuara, në mënyrë që organi që ushtron përkohësisht funksionet e Parlamentit të mund t’i votojë ato në ditët në vijim.

“Në Spanjë nuk duhet të ketë kurrë më asnjë Maricarmen”, tha dje kryeministri socialist.

Lini një Përgjigje