Jemi në Korçë, ku qytetarja Ejona Rapollari tregon se u punësua përmes Zyrës së Punës si kujdestare fëmijësh pranë fondacionit “Misioni Emanuel”, me kontratë njëvjeçare dhe pagë 250 mijë lekë në muaj. Kjo ndodhi në fillim të muajit prill. Më 13 gusht, gjatë një aktiviteti në punë, Ejona u rrëzua dhe pësoi dëmtime serioze në gju. Ajo ka qëndruar në regjim shtrati dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Pas aksidentit, ajo pretendon se punëdhënësi nuk e deklaroi ngjarjen si aksident në punë, duke i krijuar probleme me përfitimin e pagesës së raporteve mjekësore. Një punonjëse e fondacionit konfirmon se Ejona është rrëzuar gjatë aktivitetit dhe se ajo vetë e ka ndihmuar pas incidentit.
Nga ana tjetër, përgjegjësja e fondacionit, Gledis, pretendon se aksidenti është deklaruar dhe se Ejona po paguhet sipas ligjit, duke thënë se për muajin gusht është paguar dhe dokumentet për muajin shtator janë dorëzuar pranë Sigurimeve Shoqërore.
Por verifikimi i Sigurimeve Shoqërore në Korçë nxjerr një tjetër situatë: fondacioni nuk kishte bërë aplikimin për trajtimin e Ejonës si të aksidentuar në punë, ndërsa pagesa po trajtohej si raport për sëmundje të përgjithshme.
Edhe Inspektorati i Punës në Korçë, përmes inspektores Rina Pëllumbi, konfirmon se subjekti nuk e kishte deklaruar ngjarjen. Vetë Inspektorati, pas kontrollit, e ka klasifikuar ngjarjen e 13 gushtit si aksident në punë dhe i ka dhënë masë fondacionit për mosdeklarimin. Pas ndërhyrjes së Inspektoratit, subjektit i është kërkuar të kryejë aplikimin, që Ejona të përfitojë pagesën e raporteve për paaftësi në punë.
Mjeku ortoped Enea Grazhdani konfirmon se bëhet fjalë për dëmtim traumatik, me këputje të ligamentit dhe çarje të meniskut, për të cilat rekomandohet ndërhyrje kirurgjikale./ STOP













