
Një ditë para votimit në Kuvend të hartës së re territoriale, deputeti socialist Arbjan Mazniku dhe kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Memaj, janë përplasur për funksionimin e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin.
Memaj kundërshtoi reformën territoriale, duke deklaruar se përpara hartimit të projektligjit nuk ka pasur transparencë apo ballafaqim me bashkitë.
“Nuk ka pasur një transparencë në këto evidenca të nxjerra nga ekspertët për rastin konkret për funksionet. Nuk ka pasur një ballafaqim përpara hartimit të projektligjit”, tha Memaj.
Sipas kryebashkiakes, të dhënat e Bashkisë Dimal tregojnë se ajo përmbush 21 programe buxhetore, të cilat, sipas saj, përfshijnë të gjitha funksionet e bashkisë.
Mazniku solli një tjetër pasqyrë, duke thënë se sipas të njëjtit standard të përdorur për 61 bashkitë e vendit, Dimal ofron 14 nga 26 shërbimet buxhetore që duhet të mbulojë.
“Bashkia Dimal, me të njëjtën kut që janë mbajtur 61 bashkitë e vendit, me programet buxhetore të Ministrisë së Financave, ofron 14 nga 26 shërbimet buxhetore”, deklaroi Mazniku.
Deputeti socialist argumentoi se, pavarësisht se Bashkia Dimal nuk ka funksionuar keq nga pikëpamja financiare, treguesit demografikë dhe performanca ekonomike kanë shfaqur problematika.
Mazniku tha se bashkimi me Beratin do t’i sillte përfitime Dimalit, duke iu referuar lidhjeve historike, ekonomike dhe shërbimeve që banorët e zonës marrin në Berat.
“Do të përfitonte masivisht nga bashkëpunimi. Është afër një zone, me një qytet shumë të madh. Ndërveprimi me Beratin është historik. Kanë ekonomi të përbashkët. Një pjesë e madhe e njerëzve që shkojnë të marrin shërbime, i marrin në Berat. Shesin, blejnë në Berat”, tha ai.
Memaj e kundërshtoi këtë argument, duke deklaruar se treguesit ekonomikë të Bashkisë Dimal janë më të lartë se ata të Bashkisë Berat.
“Indeksi për të dhënat ekonomike të bashkisë Dimal janë më të larta se në bashkinë Berat. Ne kemi qenë nga ato bashkitë që kemi investuar nga të ardhurat tona”, u shpreh kryebashkiakja.
Përplasja mes tyre vjen një ditë para votimit në Kuvend të projektit për hartën e re territoriale.

