Më shumë fonde për ujësjellësit! Qeveria transferon 50 milionë lekë nga transporti dhe energjia

7 Tetor 2026, 22:55Sociale TEMA
Më shumë fonde për ujësjellësit! Qeveria transferon 50

Qeveria ka miratuar një vendim për rishpërndarjen e fondeve ndërmjet programeve buxhetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) për vitin 2026, duke kaluar më shumë burime financiare drejt sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.

Vendimi u mor me propozim të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës, ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe ligjin për buxhetin e vitit 2026.

Sipas vendimit, ndryshimi buxhetor është realizuar përmes pakësimit të tavanit të shpenzimeve korrente në katër programe të tjera të ministrisë:

Transporti hekurudhor pakësohet me 9,000,000 lekë; mbështetje për burimet natyrore pakësohet me 10,082,000 lekë; mbështetje për energjinë: pakësohet me 12,300,000 lekë; transporti detar: pakësohet me 18,655,000 lekë.

Të gjitha fondet e liruara nga këto katër programe, në një vlerë totale prej 50,037,000 lekësh, i janë kaluar drejtpërdrejt sektorit të shërbimeve publike vendore.

“Në programin buxhetor ‘Furnizimi me ujë dhe kanalizime’, tavani buxhetor i shpenzimeve korrente shtohet në vlerën prej 50 037 000 (pesëdhjetë milionë e tridhjetë e shtatë mijë) lekësh,” përcaktohet në vendim.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar zyrtarisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Ministria e Financave.

Lini një Përgjigje