Christa Pike, e dënuara në Tennessee që u mbijetoi dy dozave të injeksionit vdekjeprurës, ka një “rrugë të gjatë drejt shërimit” pas ekzekutimit të dështuar që e la pa ndjenja për 6 ditë dhe të lidhur pas aparaturave, tha avokati i saj, Randy Spivey, në një konferencë për shtyp.

Të martën, Pike u zgjua dhe filloi të fliste, por nuk e ka kaluar ende rrezikun. Spivey përshkroi disa probleme shëndetësore, përfshirë mpiksje gjaku në njërin krah, pneumoni, pamundësinë për t’u gëlltitur dhe mungesën e funksionimit të krahëve.

“As ne dhe as Christa nuk kemi filluar ende të kuptojmë se çfarë do të thotë kjo për shëndetin e saj mendor,” tha Spivey.

Sipas mjekëve, pjesa më e madhe e pentobarbitalit, ilaçi i përdorur në injeksionin vdekjeprurës, hyri në krahun e saj në vend që të kalonte në qarkullimin e gjakut. Sasia ishte e mjaftueshme për ta vënë në gjumë, por jo për t’i ndaluar zemrën ose për t’i ngadalësuar frymëmarrjen.

Të hënën në mbrëmje, avokati tha se Pike kishte kaluar në vdekje të trurit dhe të martën do t’i hiqeshin aparaturat jetësore, por ajo u zgjua në mëngjes.

Spivey tha se nuk ndodhej në dhomë kur Pike u zgjua, por fjalët e saj të para ishin: “Ku jam dhe kush jeni ju?”

Pike është e zemëruar, e hutuar dhe donte të dinte se çfarë i kishte ndodhur, tha Spivey. Ai tha se ajo pyeti për ekipin e saj dhe për familjen e viktimës.

Megjithatë, “ajo është shumë e vetëdijshme se shteti u përpoq ta ekzekutonte,” tha Spivey.

Spivey tha se Pike bashkëpunoi gjatë përpjekjes për ekzekutimin, madje duke ndihmuar ekipin e ekzekutimit të gjente një venë të përshtatshme për injeksionin

“Ajo ishte e sjellshme dhe e edukuar ndërsa ata punuan për një orë, duke i shpuar krahun me gjilpëra, dhe më pas ndjeu djegien e pentobarbitalit. Pastaj u zgjua në një spital, e rrethuar nga njerëz që nuk i njihte, me një tub në fyt,” tha ai.

Ai shtoi se “E gjithë kjo mund të parashikohej dhe ishte parashikuar.”

“Çfarë i ndodhi Christa është pikërisht ajo për të cilën shteti ishte paralajmëruar se mund të ndodhte,” vazhdoi Spivey. Ekipi ligjor i Pike kishte kundërshtuar ekzekutimin me injeksion vdekjeprurës, duke iu referuar problemeve me venat që Pike ka dhe që, sipas tyre, me shumë gjasa do të shkaktonin probleme gjatë një injeksioni vdekjeprurës.

Konferenca për shtyp u zhvillua pas një seance gjyqësore për statusin e çështjes në një gjykatë të Tenesit të mërkurën, gjatë së cilës kancelarja I’Ashea L. Myles vendosi që shteti duhet të ruajë çdo provë të lidhur me ekzekutimin e dështuar.

50-vjeçarja u bë personi i parë që i mbijetoi dy dozave të injeksionit vdekjeprurës. Ajo u dënua me vdekje për vrasjen e një shoqeje të klasës, rreth tri dekada më parë.