Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv është diskutuar mbrëmjen e sotme për operacionin e Policisë të realizuar disa javë më parë, që çoi në pranga Ergys Agasin, të akuzuar për dosjen e AKSHI-t dhe ish-punonjësin e Policisë, Uljan Shpataraku.

Ish-prokurori Ervin Karanxha tha gjatë fjalës së tij se gjatë arrestimit të Agasit u gjetën prova të rëndësishme, që shërbyen edhe për vendosjen e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit.

Ai tha gjithashtu se Agasi, duke qenë i shpallur në kërkim, ka gabuar që bënte lëvizje të pakontrolluara dhe sipas Karanxhës, këto gabime çuan në prangosjen e tij.

Referuar deklarimeve të Shpatarakut në Polici, i cili ka pretenduar se nuk e njihte Agasin, por e kishte marrë rastësisht në rrugë, Karanxha tha se ish-polici ka bërë një gabim taktik, pasi s’duhet të fliste pa u njohur me provat.

“Mendoj se nuk ka patur dekonspirim. Zoti Agasi ka bërë gabim, sepse si çdo person në kërkim, nuk mund të lëvizësh lirshëm. Duhet të jesh më i kufizuar. Gjatë kapjes ka pasur edhe prova të rëndësishme në lidhje me ngjarjen. Një pjesë e provave të kapura kanë shërbyer si prova për masën e sigurisë ndaj Hysenit. Shpataraku ka bërë një gabim taktik. Pa u njohur me prova s’mund të flasësh, jo takova Bertin etj. Shpataraku bën pretendimin e tij. Ka folur pa u njohur me dosjen. Mirë është të njihesh me dosjen. Ai ka folur pa qenë i sigurt. Do të verifikohen fashikujt”, tha mes të tjerash Karanxha.

Nga ana tjetër, avokati Edmond Petraj tha gjatë fjalës së tij se operacioni për Arrestimin e Agasit dhe Shpatarakut i ngjante më shumë me një triller, që nuk kishte lidhje me realitetin.

Petraj tha se i dukej e pabesueshme që një i kërkuar si Agasi të bënte gjithë ato lëvizje. Gjëja e dytë e pabesueshme sipas tij, është kohëzgjatja e operacionit, pasi sipas tij, Policia mund ta prangoste menjëherë sapo e pikasi, pa i lënë kohë të bënte me orë të tëra lëvizje.

“Mua s’më bind fare ky lloj operacioni. E para që një i kërkuar të bëjë gjithë këto lëvizje… qëllimi i Policisë ka qenë kapja e këtij personi. Pse nuk e kanë kapur gjatë gjithë itinerarit. Aty ka një boshllëk të jashtëzakonshëm. Mua më le pika dyshimi. Më duket më shumë një trill i sajuar bukur, sesa një operacion për të cilin themi që ka bërë atë apo ka bërë këtë. Një avokat me eksperiencë që merret me këtë pjesë, e para njëherë që nuk ngre fare peshë në procesin që ai ka. E dyta, po të bësh analizën sesi është kapur, unë nuk e paralelizoj dot profesionalisht sesi me atë boshllëk prej 4 orë e 41 minutash dhe me një hark kohor me një vëzhgim të tillë të plotë dhe paska zgjatur nga mëngjesi deri në dark, nuk më bind”, tha mes të tjerash Petraj.