Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas raportimeve se dy prej konsulentëve të tij politikë, Chris LaCivita dhe James Blair, janë angazhuar në punë këshillimore në Republikën Srpska të Bosnje-Hercegovinës, në prag të zgjedhjeve.
Përmes një reagimi në platformën e tij Truth Social, Trump u distancua nga angazhimet e tjera të dy konsulentëve, duke sqaruar se ata nuk janë pjesë e stafit të tij me kohë të plotë, por bashkëpunëtorë të jashtëm.
“Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse në cilësinë e konsulentëve të jashtëm”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan tha se LaCivita dhe Blair kanë të drejtë të kenë klientë të tjerë, njësoj si konsulentët e tjerë politikë në Uashington. Megjithatë, ai shtoi se nuk kishte dijeni se për kë punojnë dy këshilltarët jashtë angazhimit të tyre me të.
Trump paralajmëroi se do të kërkojë sqarime dhe se mund të ndërmarrë masa nëse konstatohet një konflikt interesi.
“Do t’i pyes dhe, nëse ka konflikt interesi, do t’i pushoj menjëherë”, deklaroi presidenti amerikan.
Reagimi i Trump erdhi pas raportimeve se LaCivita dhe Blair kanë udhëtuar në Republikën Srpska përpara zgjedhjeve dhe kanë ofruar shërbime këshillimore për autoritetet atje. Sipas raportimeve të bazuara në burime të njohura me marrëveshjen, dy konsulentët janë paguar me qindra mijëra dollarë secili, përmes një firme ligjore me bazë në Uashington, e cila ishte angazhuar nga qeveria e Republikës Srpska.
Chris LaCivita është një emër i njohur edhe në politikën shqiptare. Ai ka shërbyer si këshilltar politik i Sali Berishës dhe kampit opozitar shqiptar, duke qenë pjesë e ekipit amerikan të konsulentëve që kanë punuar për strategjinë politike të Berishës për zgjedhjet e vitit 2015.
Associated Press e ka përmendur LaCivita-n ndër figurat e rëndësishme të fushatave të Donald Trump që janë angazhuar për të ndihmuar Berishën në Shqipëri.
Angazhimi i tij në politikën shqiptare është rikthyer në vëmendje pas raportimeve të fundit për punën e tij këshilluese në Republikën Srpska dhe deklaratave të Trump për mundësinë e një konflikti interesi.
#DonaldTrump #ChrisLaCivit

