Gazetari Lutfi Dervishi ka kritikuar mënyrën se si funksionojnë partitë politike në Shqipëri, duke e lidhur cilësinë e demokracisë me organizimin e brendshëm të tyre.
I ftuar në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, Dervishi tha se problemi nuk lidhet vetëm me sistemin zgjedhor, por edhe me kulturën politike dhe mënyrën se si janë ndërtuar partitë.
Sipas tij, demokracia nuk mund të funksionojë nëse partitë politike përqendrohen rreth një lideri, ndërsa hapësira për të tjerët mbetet e kufizuar.
“E keqja s’është thjesht dhe vetëm te sistemi, është kulturore, në mentalitet, mënyra se si është jeta politike, se si janë organizuar kështjellat e demokracisë, që quhen parti politike. Në qoftë se kemi parti sulltanësh, që është lideri, ka 25 vende bosh, dhe i 26-ti guxon që të thotë mirëmëngjes, nuk ke të garantuar demokracinë”, u shpreh Dervishi.
Gazetari solli në vëmendje edhe mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve brenda vetë partive, duke argumentuar se mungesa e proceseve të rregullta demokratike në to ndikon edhe në pritshmëritë për zgjedhjet politike.
“Nëse në një parti nuk bëhen zgjedhje, në një parti tjetër ka akuza se vetë brenda, kur bëhen zgjedhjet, ka parregullsi, ti s’mund të presësh rregullsi në zgjedhjet e tjera”, tha ai.
Në përfundim, Dervishi theksoi se Shqipëria duhet të kapërcejë perceptimin se nuk është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të mira.
“Problemi i Shqipërisë është që ne duhet të tejkalojmë damkën që nuk bëjmë dot zgjedhje të mira”, përfundoi gazetari.












