Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar në Recanati të Italisë, pasi u kap me rreth 2.4 kilogramë kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza të gatshme për shpërndarje.
Operacioni u zhvillua nga karabinierët e Njësisë Operative të Kompanisë së Civitanova Marche, pas një hetimi dhe shërbimeve të posaçme të kryera ndaj shqiptarit.
Sipas autoriteteve italiane, efektivët përdorën një metodë të veçantë për të ndërhyrë ndaj të dyshuarit. Ata u paraqitën në një ndërtesë në fazë rikonstruksioni, pranë spitalit të Recanatit, duke u shtirur si persona të interesuar për ta marrë objektin me qira.
Pasi hynë në godinë, karabinierët ndërhynë dhe kryen kontrollin e ambienteve. Gjatë operacionit u zbuluan rreth 2.4 kilogramë kokainë, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në doza, si dhe peshore precize dhe materiale të tjera që dyshohet se përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike.
I arrestuari është një shtetas shqiptar 36 vjeç, banues në Recanati dhe i njohur më parë për autoritetet italiane.
Pas arrestimit, ai u dërgua në burgun Montacuto në Ankona, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur më tej aktivitetin e dyshuar të trafikut të drogës.
#Itali #Recanati #Kokainë #ShqiptarëtNëItali #Karabinierët #Arrestim #Drogë

