Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Chris LaCivita dhe James Blair nuk janë më pjesë e stafit të tij, por do të vijojnë të angazhohen vetëm si konsulentë të jashtëm.
Lajmin, Trump e ka bërë të ditur përmes një postimi në “Truth Social”, ku sqaron se të dy mund të punojnë edhe për klientë të tjerë. Megjithatë, presidenti amerikan paralajmëron se do të verifikojë nëse angazhimet e tyre krijojnë ndonjë konflikt interesi dhe, në një rast të tillë, do t’i ndërpresë edhe bashkëpunimin si konsulentë.
LaCivita dhe Blair kanë qenë pjesë e ekipit të fushatës së Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale.
“Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse në cilësinë e konsulentëve të jashtëm. Nuk e di se për kë tjetër punojnë, por do ta verifikoj dhe, nëse ka ndonjë konflikt interesi, do t’i shkarkoj menjëherë”, shkroi Trump.
Kujtojmë që La Civita drejtoi fushatën e Berishës në zgjedhjet parlamentare të 2025-tës.
