Shakira ka shënuar një tjetër rekord gjatë qëndrimit të saj në Madrid. Koncerti i saj i 3 tetorit u bë transmetimi live i një artisteje femër më i ndjekur në historinë e Amazon Music.
Koncerti, pjesë e turneut “Las Mujeres Ya No Lloran”, u transmetua në mbarë botën përmes Amazon Music, Prime Video dhe Twitch. Platforma nuk ka bërë publike shifrën e saktë të shikuesve, por konfirmoi se transmetimi kaloi çdo performancë tjetër live të një artisteje femër në platformë.
Mbrëmja mori një tjetër dimension kur në skenë u shfaq papritur Dua Lipa. Këngëtarja me origjinë shqiptare iu bashkua Shakirës për të interpretuar së bashku “Antología”, një prej këngëve më të njohura të repertorit të artistes kolumbiane.
Para performancës, Shakira e prezantoi Duan me fjalë të veçanta, duke e cilësuar si një artiste që e admiron dhe duke deklaruar se ishte e nderuar të këndonte me të. Dy këngëtaret më pas interpretuan versionin akustik të këngës para publikut në Madrid.

Ky ishte bashkëpunimi i parë live mes Shakirës dhe Dua Lipës. Megjithatë, Dua e kishte interpretuar më parë “Antología” gjatë koncertit të saj në Bogotá në vitin 2025, performancë që kishte tërhequr vëmendjen e Shakirës.
Koncerti në Madrid mblodhi më shumë se 50 mijë fansa në stadiumin e përkohshëm të ndërtuar për rezidencën e Shakirës. Këto koncerte përbëjnë pjesën evropiane të turneut “Las Mujeres Ya No Lloran”, i cili po zhvillohet në fazën përmbyllëse.
Me këtë performancë, Shakira shtoi një tjetër moment të rëndësishëm në rezidencën e saj në Madrid, ndërsa paraqitja e papritur e Dua Lipës u kthye në një nga momentet më të komentuar të mbrëmjes.